Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

26 herë kampion, Tirana feston me tifozët, protagonistët flasin në A2 CNN

Nga A2 CNN
1 Qershor 2022, 18:04 | Futboll

Tirana është kampione e Shqipërisë për sezonin 2021-2022. Bardheblutë e kryeqytetit festuan titullin e 26-të në histori pas një sezoni të dominuar që nga fillimi deri ne fund. Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi u duk se nuk kishte rival pasi mposhti çdo skuadër në Superiore dhe kryesoi tabelën çdo javë.

Çelësi i suksesit ishte padyshim fryma e grupit që bardheblutë kishin, një skuadër me ambicie të mëdha dhe që hynte në fushë për të fituar çdo ndeshje.

Presidenti i klubit Refik Halili u shfaq i emocionuar menjëherë pas fërshëllimës finale. “Ne jemi shumë të lumtur për këtë që kemi bërë të gjithë bashkë. Ia dedikoj futbollistëve, tifozëve tonë, familjes sime. Një ekip që në shumë vite është e vështirë që do ta gjejmë përsëri”, tha ai.

Merita më e madhe e këtij triumfi është padyshim trajneri Orges Shehi, i cili javë pas jave ishte modest me deklaratat e tij duke mos e quajtur asnjëherë skuadrën kampione dhe favorite për ta fituar titullin por detyra e vetme ishte menaxhimi i ndeshjeve një nga një. “Është e vërtetë që jemi të kënaqur për atë që kemi bërë gjithë këtë vit. Hap pas hapi jemi rritur të gjithë bashkë. Por kur vesh një fanellë si kjo të jep shtysë për vazhdimësinë”, tha ai.

Pa diskutim kjo Tiranë nuk do të ishte e njëjtë pa dyshen Seferi – Xhixha që me golat e tyre, dhuronin spektakël çdo sfidë. “Ne kemi dominuar nga fillimi i kampionatit, në javën e katërt, në mos gaboj, kemi marrë vendin e parë dhe nuk e kemi lëshuar më atë vend. Dhe kemi dominuar çdo javë dhe kemi treguar se kush jemi dhe realisht jam shumë i gëzuar për këtë trofe”, thotë Xhixha. “Çelësi i suksesit nuk është vetëm Xhixha dhe Seferi, që kemi bërë një sezon të mirë, por është i gjithë grupi, dhe kemi qenë të gjithë për njëri-tjetrin. Për sa i përket mua dhe Seferit, kemi bërë një sezon të mirë, na ka shkuar mirë, dhe shpresoj që ta vazhdojmë edhe vite të tjera”.

“Kur kam ardhur te Tirana kam thënë se do të bëhem kampion, dhe u bëra kampion. Dhe e kemi dominuar dhe e kemi merituar, dhe jam shumë i lumtur”, thotë Seferi. “Pa dyshim se kemi një ekip të përgatitur, kemi një ekip cilësor dhe jemi gati”.

Lufta për Këpucën e artë këtë sezon ishte e fortë deri në ndeshjen e fundit. Gara mes Seferit dhe Guindo së Laçit bëri që në fund fitues të ishte sulmuesi i kurbinasve pasi shënoi19  gola po aq sa dhe Seferi por në këto raste kemi raportin e ndeshjeve të luajtur me golat e shënuar. Guindo luajti 33 ndeshje ndaj 34 të futbollistit shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Megjithatë edhe për këtë, Seferi e ka një koment. “Taulant Seferi është kampion i Shqipërisë, ata janë në vendin e dytë”, thotë Seferi.

Edhe mbrojtësi i majtë i Tiranës, një nga talentet më premtues te bardheblutë, Marsel Ismailgeci, u shpreh se ky triumf erdhi si rezultat i punës së palodhur të gjithë skuadrës. “Në fillim jemi përgatitur që të jemi të bashkuar, dhe t’i merrnim ndeshjet një e nga një”.

Ardit Toli, një titullar i padiskutueshëm në radhët e bardhebluve theksoi se Tirana ka kapacitetin e duhur pse jo për të luftuar dhe në Kupat e Europës. “Beosj se ishim ekipi me më balancë në kampionat. Ishte emocion shumë i bukur”.

Një nga emrat më të dashur të tifozëve bardheblu është dhe legjenda Gentian Muça, një lojtar që sa herë zbret në fushën e blertë jep shpirtin për fanellën që mban veshur. Në një intervistë për A2 CNN, Muça theksoi se e sheh të ardhmen e tij gjithmonë të lidhur me këto ngjyra. “Planet e mia sigurisht që lidhen me këtë klub, pak rëndësi ka në fushë apo në pozicione të tjera”.

Tanimë, sytë dhe e gjithë vëmendja është te Kupat e Europës aty ku Tirana do të kërkoj të shkruaj historinë. Pritshmëritë janë të mëdha por gjithçka do të tregohet në fushën e blertë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë