Homazhet për ish-presidentin Nishani, Berisha: Shqipëria humbi një shtetar dinjitoz

Publikuar më: 1/6/2022, ora 11:59
MB HOMAZHET PER NISHANIN frame 0 1280x720

Homazhet për ish-presidentin Nishani, Berisha: Shqipëria humbi një shtetar dinjitoz

Publikuar më: 1/6/2022, ora 11:59

U mbajtën sot homazhet në nderim të ish-Presidentit Bujar Nishani, të ndarë nga jeta pak ditë më parë. Homazhet u zhvilluan në institucionin e Presidencës, atje ku ishte vendosur dhe trupi i pajetë i mbërritur në atdhe nga Gjermania mbrëmjen e djeshme.

Ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri Sali Berisha tha pasi nderoi bashkëpunëtorin e tij në politikë, se ndan me familjen e Nishanit dhimbjen për humbjen e njeriut të dashur.

“Familja humbi një prind të shkëlqyer, një bashkëshort dhe baba fisnik. Shteti shqiptar, një nga shtetarët më dinjitozë, në tërë historinë e tij.  Shoqëria shqiptare dhe shqiptarët, njërin nga shërbëtorët më të përkushtuar të tyre. Nishani në dekada, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar, me të cilin më lidhi jo vetëm bashkëpunimi i ngushtë, por edhe një miqësi e përsosur, një miqësi që nuk njohu ndonjëherë asnjë lloj të themi rënie, përkundrazi, erdhi gjithnjë në forcim”.

“Kujtimet për Bujar Nishanin janë të shumta dhe ai sot fizikisht nuk është më midis nesh, por e vërteta është që shpirtërisht ai është gjallë, është përjetësisht i gjallë në memorien time dhe të gjithë atyre që patën fatin e madh ta njohin atë si bashkëpunëtor, mik, të familjes që pati një bashkëshort dhe prind të tillë dhe të mbarë shqiptarëve. Ndaj dhe duke ndarë sot dhimbjen dhe zinë në familjen Nishani, miqtë dhe të afërmit e tij shpreh ngushëllimet e mia atyre, shqiptarëve që humbën sot ish-kreun e shtetit që i dha në atë detyrë dinjitet të madh, institucionit të Presidentit, por dhe mbarë shqiptarëve. I paharruar dhe i përjetshëm do të mbetet kujtimi i tij!”.

Sipas protokollit të ceremonisë, sot do të jenë familjarët, që do të presin vizitat e rastit dhe homazhe nga të afërm miq e dashamirës. Ndërsa nesër në orën 10:00-12:00 do të mbahen homazhet zyrtare sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit. I shoqëruar më pas nga kortezhi mortor, presidenti Nishani do të përcillet për në banesën e fundit.

Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare, pas një beteje disamujore me Covid-19.