Mbaron “telenovela” gjyqësore, Depp fiton çështjen ndaj ish-bashkëshortes

Përditësuar më: 1/6/2022, ora 22:30

Mbaron “telenovela” gjyqësore, Depp fiton çështjen ndaj ish-bashkëshortes

Përditësuar më: 1/6/2022, ora 22:30

Gjyqi që për javë të tëra ka tërhequr vëmendjen e të gjithë Hollivudit dhe jo vetëm, mori fund.

Aktori Johnny Depp fitoi dy nga tre çështjet për të cilën akuzohej nga bashkëshortja, aktorja Amber Heard, veçanërisht atë më të rëndë, që e cilësonte aktorin e “Piratëve të Karaibeve” si një dhunues të pamëshirshëm ndaj saj.

Akuza që Heard kishte bërë publike në vitin 2018, në gazetën Washington Post, dhe që kanë rrezikuar seriozisht karrierën e aktorit të njohur amerikan.

Depp kishte kërkuar nga ish-bashkëshortja në gjyq një shifër 50 milionë dollarësh për ato që cilësonte si shpifje, ndërkohë që ajo ishte përgjigjur me një kërkesë edhe më të madhe, 100 milionë dollarë. Në gjyq dolën në pah elementët më intimë të çiftit, varësitë dhe tradhtitë e tyre, por juria cilësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar abuzimet e Depp ndaj gruas.

Depp do të marrë një shifër prej 15 milionë dollarë nga çështja, në fakt 13 po të mendojmë se 2 milionë do t’i duhet t’i kthejë ish-bashkëshortes.

Aktori nuk ndodhej në Gjykatë gjatë leximit të vendimit, ndërkohë që jashtë me qindra fansa të tij brohorisnin për nderin e rikthyer të aktorit të tyre të preferuar, por reagoi menjëherë pas verdiktit. “Gjashtë vite më parë, jeta ime, dhe e fëmijëve të mi, të afërmve të mi, ndryshoi përgjithmonë. Vendimi për të filluar këtë çështje, duke njohur mirë vështirësitë ligjore dhe spektaklin që do të krijohej mbi jetën time, u mor pas mendimeve të shumta. Tani fillon një kapitull i ri. E vërteta nuk vdes kurrë”, ishte deklarata e tij, ndërkohë që Heard i deklaruar trishtimin e saj të madh.

Depp dhe Heard u njohën në vitin 2012 dhe u martuan në vitin 2015, duke u ndarë vetëm 2 vite më vonë, mes akuzash të ndërsjella.