Mijëra rusë në Ballkan, biznesmenë dhe të rinj i largohen luftës

Përditësuar më: 1/6/2022, ora 14:56

Mijëra rusë në Ballkan, biznesmenë dhe të rinj i largohen luftës

Përditësuar më: 1/6/2022, ora 14:56

Mijëra rusë, që duan t’i shpëtojnë pasojave ekonomike dhe politike të luftës së Putinit në Ukrainë, po vërshojnë drejt gadishullit ballkanik, kryesisht në Malin e Zi dhe Serbi. Ish-aktivistja opozitare, Elena Zaslavska, gjendej në apartamentin e saj në qendër të Mokës kur policia trokiti në derën e saj, pak pas pushtimit.

E pyetën për qëllimin e një udhëtimi të fundit në Dubai dhe Kanada, ku gruaja kishte shkuar për të takuar dy djemtë e saj. Mesazhi ishte i qartë; mjekja në pension bashkë më të shoqin paketuan menjëherë plaçkat dhe u nisën drejt Malit të Zi.

“Përfunduam këtu pasi nuk kishte më asnjë mundësi për të qëndruar në Rusi nën udhëheqjen aktuale. Çdo gjë që po ndodh atje është në kundërshtim me pikëpamjet dhe mënyrën se si e kuptojmë botën”, tha Elena Zaslavska.

Çifti është sistemuar në Lastva Grbaljska, një fshat pranë Adriatikut ku jeta është e qetë dhe klima e kënaqshme. Një tjetër rus që e bëri Malin e Zi shtëpinë e tij të përhershme është Marat Gelman, një pronar i njohur galerie dhe kritik i zëshëm i Putinit. Gelman thotë se mes rusëve që kanë kërkuar strehim në shtetin ballkanik janë biznesmenë të pasur dhe familje të tyre, e po ashtu të rinj që janë larguar për t’i shpëtuar rekrutimit ushtarak dhe dërgimit në Ukrainë.

“Prindërit po shesin prona dhe po përdorin paratë për t’u blerë fëmijëve bileta për në Malin e Zi; Ata po u paguajnë qiratë e banesave atje në mënyrë qetë mos shkojnë në luftë”, tha Marat Gelman.

Mali i Zi, më një popullsi prej 620 mijë banorësh, dikur shijonte lidhje të afërta me Moskën. Por situata ndryshoi pas vendimit për t’iu bashkuar NATO-s pavarësisht paralajmërimeve të Putinit për të mos e bërë.

Gjithashtu, një numër biznesesh po ripozicionohen në Malin e Zi, i cili është në proces për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian. Artec 3D, një prodhues skanerësh tridimensionale me bazë në Luksemburg, e ka zhvendosur së fundmi degën e tij në Moskë, në një godinë me pamje nga deti në fshatin jugor të Utjeha.

Pronari i kompanisë i tha Reuters se 50 punonjës dhe familjarët e tyre kishin pranuar ofertën për t’u zhvendosur nga Moska në Malin e Zi. Gjithashtu, Serbia fqinje ka pritur një fluks prej mijëra rusësh që prej luftës. Sipas agjencisë së regjistrimit të bizneseve, vendi ka regjistrua 480 sipërmarrës individualë dhe 190 kompani nga Rusia që prej 24 shkurti dhe 5 majit.