Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Milani feston titullin e 19-të në histori, sheshi "Skënderbej" vishet kuqezi

Nga A2 CNN
1 Qershor 2022, 07:33 | Futboll
Milani feston titullin e 19-të në histori, sheshi

Shqiptarët janë të çmendur pas futbollit italian. Kur bëhet fjalë për skuadrën e zemrës, nuk njohin vëlla kushëri apo shok, por identifikohen vetëm nga fanella që ata mbajnë veshur. E këtë e treguan më së miri këtë sezon ku lufta për titullin ishte e hapur deri në ndeshjen e fundit mes Milanit dhe rivalëve të Interit.

Në fund, milanistët e Piolit ishin skuadra Kampione e Italisë. 11 vite pritje, 11 vite besim te suksesi, 11 vite durim për të parë dhe një herë skuadrën e tyre në podium. Në fillim të sezonit, askush nuk mendonte se ky Milan ishte ndërtuar për të fituar ose të paktën objektivi kryesor ishte pjesëmarrja në Champions League, mirëpo siç thonë "oreksi vjen duke ngrënë".

Milani dominoi thuajse gjithë kampionatin dhe në fund fitoi fryma e grupit, entuziazmi për të fituar apo dëshira për të qenë protagonist gjithmonë. Interesi ishte i jashtëzakonshëm në javën e fundit të kampionatit ku Milani kishte në dorë të rikthente skudeton në ngjyrat kuqezi.

Në një organizim deri në detaje të Milan Club Albania, në Sheshin Skënderbej ndodheshin qindra mijëra tifozë të Milanit të cilët edhe pse ishin besimplotë te fitorja, emocionet te secili prej tyre nuk mungonin.

‘’Kemi pritur gjatë. Unë i përkas një brezi të ri dhe kam parë shumë lojtarë të veshin fanellën e Milanit. Mirëpo ky brez që po shohim sot te Milani është i jashtëzakonshëm. Shpresojmë t’i mbajmë kuqezi gjithë këta talente, Brahim Diaz, Leao, Tonali’’

‘’Më në fund, jemi kampionë të Italisë. Në fillim nuk besoi njeri se ky Milan kishte cilësitë për t’u shpallur kampion, por ja që ndonjëherë më shumë vlen ajo çfarë ti jep në fushë sesa shumat marramëndëse që ti fiton... KAMPION!’’, shprehen tifozët

 Fëmijë, gra, burra pa dallim moshe prisnin momentin final duke kënduar dhe këngët e skuadrës së zemrës .

“Një organizim i jashtëzakonshëm dhe deri në detaje mund të them. Nuk e prisnim gjithë këta njerëz të na bashkoheshin duke qënë se menduam se është një ditë e diel, njerëzit duan të pushojnë, por jo, jemi vërtët shumë shumë të kënaqur. Tani shpresojmë tek Champions pse jo …’’

Edhe pse Milanit mund t’i mjaftonte dhe një barazim për t’u shpallur kampione e Italisë, të gjithë tifozët kërkonin maksimumin.

Në fund gjithçka shkoi ashtu siç pritej, skuadra e Stefano Piolit shkatërroi 3-0 Sasuolon falë një dopietë të Giroud dhe një goli të Kessi duke e mbyllur kampionatin me 2 pikë më shumë se rivalët e Interit.

Kaq u desh që të shpërthente festa në sheshin “Skënderbej”. Të gjithë i bashkonte pasioni i tyre më i madh: Dashuria për  Milanin.

Momenti më emocionues mund të cilësohej padyshim kur ekipi kuqezi ngriti lart trofeun, numër 19 në histori, duke mos munguar dhe shpërthimi emocional te çdo tifoz i ri apo i vjetër.

Më në fund, pritja mbaroi. Milani u rikthye si kampione e Italisë. Kuqezinjtë treguan se jo gjithmonë në futboll duhen shuma marramendëse parash, ndonjëherë mjaftojnë disa lojtarë që t’ia dinë vlerën fanellës që mbajnë veshur dhe të lënë shpirtin në fushë për çdo ndeshje.

Deri më sot qindra abonentë në të gjithë Shqipërinë  njihen si tifoz zyrtar të Milanit, ndërsa sigurisht pas këtij triumfi pritet që numri të jetë dhe më i lartë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli