Homazhet për Nishanin, Meta dhe Berisha nderojnë ish-presidentin. 2 qershori, zi kombëtare

Përditësuar më: 1/6/2022, ora 17:18

Homazhet për Nishanin, Meta dhe Berisha nderojnë ish-presidentin. 2 qershori, zi kombëtare

Përditësuar më: 1/6/2022, ora 17:18

Trupi i pajetë i ish-presidentit Bujar Nishani mbërriti mëngjesin e së mërkurës në institucionin që drejtoi për 5 vite.

Dita e parë e ceremonialit ishte e rezervuar për homazhet e të afërmve dhe miqve të tij, ndaj dhe me kërkesë të familjes u zhvilluan pa praninë e mediave. Ceremonia zyrtare është parashikuar të mbahet të enjten, kur në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë, pasi në nderim të ish-presidentit Nishani, qeveria shpalli 2 qershorin ditë zie kombëtare.

Në sallën “Skënderbeu”, nga ku përmes foltores së Presidencës Bujar Nishani i drejtohej qytetarëve, familjarët e tij pritën ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-kreut të shtetit. Mes tyre ishte edhe Presidenti Ilir Meta, që e cilësoi paraardhësin si një nga shtetarët më të përgjegjshëm të këtyre dekadave: “Ndarje e dhimbshme dhe shumë e parakohshme e presidentit Nishani nga jeta. Ai ishte një nga politikanët, shtetarët më të përgjegjshëm e më seriozë të këtyre dekadave, i cili në çdo detyrë politike dhe shtetërore shkëlqeu me korrektësinë e tij, integritetin, konstruktivitetin që e karakterizonte dhe në çdo detyrë, dhe në atë të presidentit, gjithmonë ishte një mbrojtës i shkëlqyer i interesit kombëtar. Ai lë pas një trashëgimi shumë pozitive dhe një kujtim të paharruar për të gjithë ata që u shërbeu me përkushtim e besnikëri”. 

Edhe kryetari i PD, Sali Berisha, zhvilloi homazhe në nder të atij që e cilësoi si një prej bashkëpunëtorëve të tij më të vyer ndër vite: “Isha për të shprehur nderimin tim më të madh, për të ndarë me Odetën, Ersin dhe Fjonën, zinë e kësaj gjëme të madhe që ju ka rënë atyre, miqve dhe të afërmve të tyre dhe mbarë qytetarëve shqiptarë të cilët kanë parë tek Bujar Nishani një qytetar shembullor. Familja, një prind të shkëlqyer, një bashkëshort dhe baba fisnik. Shteti shqiptar, një nga shtetarët më dinjitoz, në tërë historinë e tij”.

Kryetari i Këshilit Kombëtar të PD, Edi Paloka, deputetë, por edhe ish-zyrtarë të lartë të PD-së nderuan kolegun dhe mikun e tyre, ndërsa në homazhe nuk munguan as socialistët. Pas ceremonisë zyrtare të së enjtes, trupi i tij do të përcillet rreth mesditës drejt varrezave të Sharrës.