Një muaj më pas nga shërbimet online, dështimet dhe problemet. A ishim gati?

Përditësuar më: 1/6/2022, ora 21:34

Një muaj më pas nga shërbimet online, dështimet dhe problemet. A ishim gati?

Përditësuar më: 1/6/2022, ora 21:34

Një muaj pasi shërbimet publike kaluan thuajse të gjitha online, me vetëm 5% që kryhen me prani fizike, ekspertët e ekonomisë ndanë në studion e A2 Business qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje. Edhe pse pranojnë që ky është një stad i rëndësishëm, në këndvështrimin e tyre qytetarët shqiptarë nuk ishin ende gati për ta implementuar këtë sistem.  Për ekspertin e tekonologjisë së informacionit Gent Progni, së pari duhet të edukohej popullata dhe pastaj të kalohej online.

“Ka pas probleme pafund si me aksesimin dhe shkarkimin. Problemi është më i madh se programimi e krijimi i këtij sistemi sepse lidh dy faktorë; atë që ka bërë sistemin që është AKSHI qeveria apo institucionet dhe faktori kulturor që kanë shqiptarët me internetin. A ishim ne gati për ta kuptuar këtë sistem? Unë mendoj që jo. Ne kemi eksperiencë botërore në këto gjëra. Bota funksion ndryshe, edukon popullatën dhe pastaj kalon online. Në qendrat e internetit në lagje ka filluar për 6 mijë lekë të vjetra të gjenerojnë një certifikatë apo shërbim në e-albania. Është pozitive nuk jam kundër, por në 22 i kemi të gjitha mundësitë që të mos kemi këto probleme. Kjo është e vetmja gjë që ne teknicienët nuk e pranojmë dot. Nuk mund të thuash që ra sistemi. Nëse do të ishin bërë siç duhet, nuk duhet të kishim probleme”.

Për ekspertin ekonomisë Bardh Sejdarasi ka mangësi për biznesin elektronik dhe kulturën e aplikimit të këtij sistemi online sidomos nga qytetarët të moshuar apo zona, ku aksesi në internet është i vështirë.

“Nga ajo që kam parë nuk kam hasur vështirësi për t’i gjetur dhe përdorur ndoshta për shkak edhe të përvojës. Ka ende mangësi për biznesin elektronik dhe kulturën e aplikimit të këtij sistemi online sidomos nga qytetarë të thyer apo zona ku aksesi në internet është i vështirë. Ne prej kohësh kemi debatuar me AKSHI-n për këtë. Ky problem duhet monitoruar”.

Ndërsa ish- zv.drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve Florenc Dilaveri dëshmoi në A2 Business problemet e hasura për javë të tëra. Sipas tij sfida kryesore e implementimit të këtij sistemi  është ruajtja e sistemeve dhe garantimi i veprimtarisë së bizneseve e qytetarëve në to. Ai e sheh këtë si nja hap për t’u mburrur të qeverisë sesa për t ú ardhur në ndihmë shqiptarëve.

“Një nga sfidat e implementimi është ruajtja e sistemeve dhe garantimi i veprimtarisë së bizneseve e qytetarëve në to. Kam qenë dëshmitar i problemeve që kanë pasur si QKB që për javë të tëra kane qenë të rrëzuar. E konsideroj hap pozitiv por më shumë si hap për të shitur mend sesa që do t’ju vijë në ndihmë shqiptarëve. Kemi kaq shumë gjëra për të bërë deri sa të shkojmë te sistemi online duhej rregulluar sistemi i taksimit dhe aferat korruptive me administratën ku ngërçet janë të mëdha”.

Edhe eksperti për ekonominë Albert Gajo përmendi problemet dhe mungesën e transparencës së këtij sistemi.

“Nuk është revolucion, se shërbimi nuk përfundon të ndërrosh personin, por kur merr shërbimin, por kur shoqërohet me vonesë ka kosto më të madhe. Nuk kemi shpejtësi në kthim përgjigjeje. Nuk kemi transparencë”.

Përkundër këtyre zërave sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli e shikon këtë si një ndryshim epokal.

“Digjitalizimi është ndryshim epokal, është domosdoshmëri, është alternativë e vetme për të çuar mirëqenien e mënyrën e jetesës në një stad të ri. Ndryshojmë një sistem të tërë me një të ardhme që brezat e rinj nuk do të lidhen me të shkuarën. Nuk ka humbës, të gjithë jemi fitues. Problemi është se teknika duhet të vihet në shërbim të teknikës dhe jo përmbajtja”.