“Nuk kemi asnjë plan për asociacionin”, Kurti: Mbledhja e radhës me qeverinë shqiptare, në fund të qershorit

Publikuar më: 1/6/2022, ora 15:37

“Nuk kemi asnjë plan për asociacionin”, Kurti: Mbledhja e radhës me qeverinë shqiptare, në fund të qershorit

Publikuar më: 1/6/2022, ora 15:37

Nuk jam në dijeni të ndonjë plani për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbë. Kështu iu përgjigj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raportueses për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, e cila tha me herët se ka informacione se qeveria e Kosovës ka një propozim që lidhet me zbatimin e marrëveshjes për asocacionin.

“Kosova e ka Asociacionin e komunave. Mua si kryeministër mjaft po më del Asociacioni i komunave të Kosovës. Unë nuk jam në dijeni si kryeministër i Kosovës për ndonjë plan të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo çështje është trajtuar shumë herë dhe nuk kam çfarë të shtoj”, u shpreh Kurti.

Ai përsëriti se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon Asociacion mbi baza etnike. Sipas tij, po të pyetën qytetarët, askush nuk e ka prioritet Asociacionin, madje as serbët, pasi siç tha ai të gjithë duan zhvillim ekonomik, punë, shëndetësi të mirë dhe luftim të korrupsionit.

Sa i përket mundësisë së një takimi me presidentin Aleksandër Vuçiç tha se nuk ka marrë ende një ftesë të tillë.

“Kur ta kem një ftesë të tillë do ta trajtojë me përkushtimin më të madh dhe me qasje pozitive, por nuk ka ende ftesë”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Duke folur për çështjen e targave, numri një i Ekzekutivit tha se çdo zgjidhje zgjedhje duhet ta ketë parimin e reciprocitetit. Gjatë konferencës për shtyp, kryeministri i Kosovës njoftoi gjithashtu se mbledhja e radhës mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë do të mbahet në fund të muajit qershor.

Ai i kërkoi të gjitha ministrive që t’i konsiderojnë me prioritet të lartë çështjet  e fushave dhe temave të marrëveshjeve me Shqipërinë dhe t’i kenë draft-marrëveshjet gati deri më datë 10 qershor.

Mbledhja e fundit e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është mbajtur më 26 nëntor të vitit të kaluar në qytetin e Elbasanit.