Shqipërisë i bashkohet “Këpuca e Artë” e Austrisë: Jam i përqendruar vetëm te kuqezinjtë

Publikuar më: 1/6/2022, ora 13:05

Shqipërisë i bashkohet “Këpuca e Artë” e Austrisë: Jam i përqendruar vetëm te kuqezinjtë

Publikuar më: 1/6/2022, ora 13:05

Giacomo Vrioni mbylli një sezon të jashtëzakonshëm për të në kampionatin austriak të futbollit, aty ku u shpall golashënues me 19 gola.

Sulmuesi shqiptar mori “Këpucën e Artë”, që e ndau me Karim Adeyemi. Gjermani shënoi të njëjtin numër golash me lojtarin e kombëtares shqiptare, i cili tani ka oferta të ndryshme.

Edhe pse me vonesë, krahasuar me futbollistët e tjerë, Vrioni iu bashkua të martën skuadrës së Rejas, ndërsa sot doli në konferencë për shtyp ku foli për objektivat e skuadrës, por edhe personal, për ndeshjet ndaj Islandës, Izraelit dhe Estonisë.

“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, e dimë. Do shkojmë në Islandë për fitore, do tentojmë të arrijmë vendin e parë. Atmosfera është shumë e mirë. Jemi të përqendruar për këto ndeshje.

Titullar? Atë e di trajneri, unë di që do të vazhdoj të punoj. Kalova një sezon të rëndësishëm, por zgjedhjet i bën trajneri.

Të thyej edhe rekordin në kombëtare të Salihit? Nëse trajneri më jep mundësinë është normal, pasi jam një sulmues dhe dua të shënoj gola. Do ta provoj.

Sa e vështirë të marr një fanellë titullari? E vështirë është gjithkund. Në kombëtare ka lojtarë e sulmues të fortë, këtu vijnë lojtarët më në formë. Rëndësi ka të bëjmë mirë në stërvitje, zgjedhjet i bën trajneri.

Të gjithë repartet janë të forta. Të gjithë lojtarët luajnë në Europë, të gjithë po luajnë. Kumbulla fitoi Conference League, kemi lojtarë që luajnë në Champions League apo Premier League.

Pika më e fortë e kombëtares është grupi. Të gjithë rivalët janë të fortë, janë në nivelin tonë. Duam të marrim tre pikët në Islandë dhe tre pikë në Shqipëri me Izraelin.

E ardhmja? Akoma nuk kam folur me drejtuesit. Gjë konkrete nuk kam. Jam i përqendruar te kombëtarja, kur të mbarojë me kombëtaren do të flasim për të ardhmen me drejtuesit e Juventusit“, deklaroi sulmuesi 23-vjeçar.