Shteti garant për importuesit, opozita kundër nismës: Kreditë i përfitojnë bizneset pranë PS

Përditësuar më: 1/6/2022, ora 15:49

Shteti garant për importuesit, opozita kundër nismës: Kreditë i përfitojnë bizneset pranë PS

Përditësuar më: 1/6/2022, ora 15:49

Opozita e kundërshtoi vendimin e qeverisë për të dhënë garanci sovrane për importuesit e produkteve të shportës. Akti normativ u shqyrtua në Komisionin Parlamentar për Çështjet ligjore ku deputetët demokratë e panë këtë si një skemë që fuqizon bizneset pranë qeverisë. 

“Që do të thotë kjo është një skemë që shkon për të fuqizuar monopolin dhe monopoli i një qeverie autokratike siç është kjo, është zgjatim i qeverisë. Po marrim para, po marrim ndoshta kredi, po ia japim atij biznesit që e kam për vete. Për ta përdorur! Ku do e përdorim? Në procese zgjedhore”, u shpreh Alibeaj.

Kur mazhoranca tentoi të jepte arsyet e veta pro nismës ligjore, opozita ashpërsoi tonet.

“Pse nuk ju pëlqen juve fakti që një pjesë e mirë e çmimeve të shportës janë në një nivel të caktuar. Kështu që lërini këto retorika politike se i kanë vlerësuar qytetarët kur i kanë lënë ato në cep në opozitë”, deklaroi Bushka.

Zëri u ngrit aq shumë, sa kryetarja e Komisionit filloi të jepte edhe ndëshkime.

“Nuk ka sqarim vote, e keni si penalitet për sjelljen e pahijshme që bëni. Thoni pafund marrina dhe askush nuk ju ndalon, dhe kur flasim me ju zotëri ngriheni në kor sikur jeni në pyll”, vijoi Bushka. 

Debati në sallë vijoi, ndonëse me tone më të qeta, kur u shqyrtua një hua për Ministrinë e Shëndetësisë për rindërtimin e objekteve spitalore të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019. Në pikat e kontratës së huasë, kishte një çështje që shqetësoi opozitën. 

“Keni parashikuar për këtë hua që një pjesë e tyre do të shkojnë për format e komunikimit përfshirë sondazhet me qytetarët për shërbimet spitalore. Ju po merrni hua që t’u tregoni njerëzve, atyre që janë gjallë se çfarë reformash po bëhen në spitale?”, theksoi Alibeaj

“Kur e njeh punën në terren e kupton se sa i rëndësishme është informacioni. Ne po punojmë tani për indeksin e kënaqshmërisë së pacientit”, u shpreh Rakacolli.

Raporti vjetor i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë solli qetësi në sallë, jo për shkak të gjetjeve, por sepse opozita vlerësoi se deputetët janë në konflikt interesi për të debatuar mbi veprimtarinë vjetore, për sa kohë janë subjekt deklarimi pranë këtij institucioni.