Dy muaj të kyçur prej Omicronit, banorët “pushtojnë” rrugët dhe parqet e Shangait

Përditësuar më: 2/6/2022, ora 18:00

Dy muaj të kyçur prej Omicronit, banorët “pushtojnë” rrugët dhe parqet e Shangait

Përditësuar më: 2/6/2022, ora 18:00

Dje, sapo kaloi mesnata, një metropol prej 25 milionë banorësh mori jetë sërish, pas 65 ditësh.

Rrugët, sheshet, parqet dhe çdo hapësire publike e Shangait u mbush me njerëz që festonin, pinin të buzëqeshur një birrë dhe flisnin për herë të parë me miq dhe të afërm nga të cilët u ndanë forcërisht dy muaj më parë, për shkak të karantinës që qeveria kineze vendosi nga frika e variantit Omicron të koronavirusit pandemik.   

Një karantinë e ashpër, për të arritur objektivin e “zero rasteve” të shpallur nga Pekini zyrtar, por që u arrit falë sakrificave të mëdha, duke shkaktuar ndoshta valën më të madhe të pakënaqësisë së hapur ndaj vendimeve të qeverisë prej dekadash.

Edhe dalja nga apartamentet private ishte bërë një makth për miliona persona në Shangai, dhe ishte e parashikuar vetëm për një kohë të kufizuar, për emergjenca dhe për të blerë ushqime. Shpesh herë edhe fëmijët janë ndarë nga prindërit e tyre, dhe janë dërguar në qendra shtetërore për monitorim.  

Kundërshtimi ndaj masave filloi në forume online, duke u shprehur çdo ditë e më shumë edh në rrugët e metropolit, me barrierat që tregonin zonat me rrezikshmëri infektimi që janë shkatërruar disa herë, nën heshtjen e mediave zyrtare.

Situata ka shqetësuar vetë drejtuesit e Partisë Komuniste, që kanë përshpejtuar rifillimin e një aktiviteti normal, edhe nga pikëpamja ekonomike, që po i mungonte Shangait.

Ende të gjithë kompanitë e huaja që ndodhen aty janë të mbyllura dhe rihapja pritet javës që vjen, por qendrat tregtare dhe aktivitetet e tjera janë sërish të hapura.

Mbeten të mbyllur në pjesën më të madhe kufijtë kinezë, ndërkohë që lejet e udhëtimit jashtë janë tepër të rrepta.