Edi Rama: Kemi parë shkelësit e të drejtave të njeriut të enden të lirë, kjo nuk duhet toleruar

Përditësuar më: 2/6/2022, ora 17:11
Screenshot 2 1 1280x720

Edi Rama: Kemi parë shkelësit e të drejtave të njeriut të enden të lirë, kjo nuk duhet toleruar

Përditësuar më: 2/6/2022, ora 17:11

Kryeministri Edi Rama mbajti në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, një deklaratë me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit të Sigurimit. Deklarata e mbajtur përpara kryesimit të mbledhjes së parë, u fokusua kryesisht te lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj.

“Ky është vetëm fillimi i Presidencës shqiptare të Këshillit të Sigurimit dhe menjëherë sjellim tashmë për diskutim në Këshill një çështje të rëndësisë së lartë, llogaridhënien. Zbatimi i të drejtës ndërkombëtare dhe kartës së OKB-së janë në zemër të politikës së jashtme shqiptare. Jetojmë në kohëra ku konfliktet dhe pasojat shkatërrimtare që ato kanë mbi civilët janë bërë më vdekjeprurëse”, tha Rama para nisjes së diskutimit të hapur mbi llogaridhënien në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Lufta e Rusisë në Ukrainë paraqet sfida e kërcënime të shumëfishta për mbarë botën. Vënia para përgjegjësisë për krimet, shkeljet masive, është kyçe për të rivendosur besimin e publikut te drejtësia. Kemi parë shumë shpesh shkelësit e lirive dhe të drejtave të njeriut që të jenë të lirë. Kjo nuk duhet toleruar, nuk duhet pranuar. Pandëshkueshmëria duhet të mbetet histori”.

Deklarata e Plotë

Mirëmëngjesi!

Ky është vetëm fillimi i Presidencës shqiptare të Këshillit të Sigurimit dhe menjëherë sjellim tashmë për diskutim në Këshill një çështje të rëndësisë së lartë, llogaridhënien.

Pas pak minutash do të kem nderin dhe kënaqësinë të kryesoj në emër të Presidencës shqiptare një debat të hapur për forcimin e llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtarë. Zbatimi i së drejtës ndërkombëtare dhe i Kartës së OKB-së, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe mbështetja e sistemit të OKB dhe i veprimit shumëpalësh janë në zemër të politikës së jashtme shqiptare e po kështu janë përparësitë kryesore të mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit.

Jetojmë në kohëra ku konfliktet dhe pasojat shkatërrimtare që ato kanë mbi civilët dhe infrastrukturën civile janë bërë më të kudogjendura dhe më vdekjeprurëse. Dëmi shkatërrimtar për civilët, përfshi edhe nivelet alarmuese të pasigurisë ushqimore që mund të çojnë me gjasë në një uri të pashembullt në jetën tonë, e bëjnë nevojën për një llogaridhënie më efektive, një çështje kyçe për Kombet e Bashkuara dhe vendet e saj anëtarë. 

Më tej, siç e kemi parë të gjithë, lufta e Rusisë në Ukrainë që paraqet sfida e kërcënime të shumëfishta për mbarë botën, e ka përforcuar edhe më tej këtë nevojë. Vënia përpara përgjegjësisë për krimet, për shkeljet masive, përshi llogaridhënien e individëve në kuadër të së drejtës penale, është kyçe për të rivendosur  besimin e publikut tek drejtësia dhe te institucionet e sigurisë përfshirë Këshillin e Sigurimit dhe për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe një paqe të qëndrueshme.

Siç e dimë të gjithë çështja e llogaridhënies mbetet në qendër të masave kolektive të bashkësisë ndërkombëtare për të zmbrapsur aktet e agresionit. Objektivat e sotme në debat janë të trefishta.

Së pari, të rritet roli i bashkësisë ndërkombëtare për të vënë para përgjegjësisë shtete dhe ato që veprojnë për llogari të tyre për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Së dyti, të forcohen mekanizmat e llogaridhënies jo vetëm në nivel shtetëror, por po kështu në atë rajonal dhe ndërkombëtar.

Së treti, ta orientojmë vëmendjen tek viktimat, të përcaktojmë të vërtetën për krimet ndërkombëtare dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare është thelbësore për të vënë në vend të drejtat dhe dinjitetin e viktimave dhe të afërmve të tyre. Është po kështu kritike për të çuar më përpara paqen dhe pajtimin.

Kemi parë për shumë gjatë shkelësit, autorët e shkeljeve të renda të së drejtës ndërkombëtare të lihen të lirë pa asnjë pasojë e nuk duhet të lëmë askënd të besojë se mund të kryejë krime dhe mund t’ia dalë paq. Kjo ka ndodhur shumë shpesh, kudo. Nuk duhet toleruar, nuk duhet pranuar. Duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për tu riangazhuar ndaj normave dhe vlerave themelore dhe të dyfishojmë përpjekjet për të zbatuar përputhshmërinë dhe respektimin e ligjit.

Kësisoj është e rëndësishme që të punojmë sëbashku në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e objektivat e Kombeve të Bashkuara siç sanksionohen në kartën e OKB-së. Llogaria efektive do të kontribuojë për paqen, pajtimin dhe rritjen e sigurisë për të ndërtuar demokracinë në nivel lokal, rajonal, global e për ta mbrojtur dhe për të nxitur të drejtat e njeriut kudo. Duhet të bëjmë gjithçka mundemi që ta bëjmë botën gjithnjë e më të vogël për shkelësit duke përdorur mjetet dhe mekanizmat e llogaridhënies përmes drejtësisë. Pandëshkueshmëria duhet të mbetet histori.