Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Homazhet për ish-Presidentin Nishani, Meta: E falënderojmë për modelin që ai solli si shtetar, politikan dhe qytetar shembullor

Nga A2 CNN
2 Qershor 2022, 11:55 | Politikë

Iu dha sot lamtumira e fundit ish-presidenti Bujar Nishani, të ndarë nga jeta pak ditë më parë. Në nderim të tij, qeveria shpalli këtë të enjte ditë zie kombëtare. Në Presidencë u mbajt edhe ceremonia e homazheve, para nisjes për në banesën e fundit.

Në të morën pjesë dhjetëra politikanë, kolegë dhe kundërshtarë të ish-Presidentit, si dhe personalitete dhe figura nga fusha të ndryshme. Në homazhe morën pjesë edhe ish-presidentët e tjerë, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, si dhe ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Presidentja Vjosa Osmani.

Një ditë më parë, Presidenti Ilir Meta çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar, ish-Presidentin Bujar Nishani (pas vdekjes) me motivacionin: “Në vlerësim të kontributeve të shquara në të gjitha detyrat e larta shtetërore, për forcimin e demokracisë dhe institucioneve, për integrimin euro-atlantik dhe evropian të vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare. Në nderim të integritetit dhe dinjitetit të lartë njerëzor, si model i burrështetasit që punoi me përkushtim dhe përgjegjshmërinë shërbim të atdheut”.

https://a2news.com/2022/06/01/meta-dekoron-bujar-nishanin-pas-vdekjes-me-titullin-me-te-larte-ne-vend/

Në fjalën e mbajtur në mbyllje të ceremonisë së homazheve, Presidenti Meta vlerësoi edhe një herë figurën e Nishanit.

“Fundi i papritur dhe i parakohshëm i jetës lë plot pengje për mundësitë e humbura. Ndaj dhimbja për humbjen e pakohë të njerëzve të shtrenjtë e të rrallë e bën të vështirë gjetjen e fjalëve. Por na ngushëllon fakti që Bujar Nishani pati një jetë plot realizime fatlume. Për Presidentin Bujar Nishani këto ditë ka pasur vlerësime më se të merituara nga shumë personalitete në Shqipëri e përtej. I ardhur në politikë nga Forcat e Armatosura, Presidenti Nishani solli virtytet më të mira të ushtarakëve tanë në jetën politike dhe institucionale të vendit. Ai e shihte politikën si artin e së mundshmes dhe besonte se ajo ishte instrument pozitiv. Presidentit Nishani i peshonte fjala”, tha Presidenti Meta në fjalën e tij gjatë homazheve. “Sot në ditën e lamtumirës, e falënderojmë për modelin që ai solli si shtetar, politikan dhe qytetar shembullor”.

https://a2news.com/2022/06/01/karriera-ne-politike-qe-e-ngjiti-bujar-nishanin-deri-ne-krye-te-shtetit/

A2 CNN Livestream

Dita jonë