“Ishin me kallashnikov dhe leva, flisnin dialektin tonë”, gruaja tregon momentet e tmerrit pas grabitjes

Përditësuar më: 2/6/2022, ora 15:08

“Ishin me kallashnikov dhe leva, flisnin dialektin tonë”, gruaja tregon momentet e tmerrit pas grabitjes

Përditësuar më: 2/6/2022, ora 15:08

Gruaja e çiftit të moshuar, të grabitur me dhunë në orët e para të mëngjesit të së enjtes ka treguar për gazetarët momentet e tmerrit që përjetuan. Sipas saj, grabitësit u futën në banesën e tyre dhe nën kërcënimin e armëve u kërkuan të gjitha paratë.

“Hajdutët ishin me kallashnikov dhe leva. Ishin dy persona, që flisnin dialektin tonë. Nuk ishin të zonës, por flisnin dialektin tonë”, tha gruaja, Mri Tinaj, teksa qëndronte në spital për të marrë mjekim për shkak të lëndimeve të marra.

Ajo tregon shenjat e dhunës, njollat në trup dhe fytyrë, dhe shton: “Tentova t’i heq maskën dhe më goditën. Na kërkuan paratë, por u thamë që nuk kishim. Në fakt kemi pasur para, se kemi shitur dy makinat e fëmijëve. Kemi marrë para që ka pas burri në bankë, pensionin, për të bërë disa punime. Ata arritën t’i merrnin të gjitha paratë, sendet e arit, telefonat, gjithçka”.

Për rreth 1 orë e gjysmë, dy të moshuarit qëndruan vetëm të lidhur në shtëpinë e tyre. “Na lidhën dhe na lanë aty. Arrita të zvarritem deri në kuzhinë dhe i zgjidha këmbët burrit me një thikë. Më pas ai shkoi te komshinjtë dhe njoftuam Policinë”, shtoi gruaja.

Sipas policisë, dy grabitësit kanë marrë automjetin tip “Volkswagen” që ka qenë i parkuar në oborrin e banesës së Tom dhe Mri Tinajt dhe janë larguar. Grupi hetimor vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve të saj.