“Kanë status të degraduar, të paguhen si zv.ministra”, problemet e mësuesisë në “Absolut 4”

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 09:48

“Kanë status të degraduar, të paguhen si zv.ministra”, problemet e mësuesisë në “Absolut 4”

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 09:48

Sa i shërben arsimi ynë të ardhmes? Kjo është pyetja që u ngrit sonte në “Absolut 4” në një kohë kur viti shkollor vjen drejt fundit, dhe mesatarja për të studiuar mësuesi ulet në 6.5.

Më shumë nxënës të dobët do mund të bëhen arsimtarët e të ardhmes, duke mos paralajmëruar asgjë të mirë për sa i përket këtij sektori, të cilin shumë e konsiderojnë jetik jo vetëm për ekonominë e vendit por edhe për stofin e shoqërisë shqiptare.

Aktivisti Rigels Xhemollari shpegoi se “Nuk është ulur mesatarja e mësuesisë, por mesatarja e degëve në bachelor që kanë akses edhe në mësuesi. Paradoksi është që një person që hyn me mesatare 7.5 mund të mbarojë teorikisht bachelorin me 10-ta dhe mos të hyjë për mësuesi, ndërkohë që një student i dobët mund të bëhet mësues”.

Pedagogu dhe analisti Ermal Hasimja mendon se problemi është fillimisht tek humbja e statusit. “Dallimi me komunizmin është se dikur mësuesi shihej si vegël e regjimit, dhe mbrohej për këtë, tani nuk ka asnjë që mund t’i mbrojë ato. Ka prindër që mundohen t’i shtrojnë rrugën me lule fëmijëve, duke u vetë-bindur që i kanë të shkëlqyer, dhe kur marrin nota të gjykuara si të papërshtatshme shkojnë e kërkojnë llogari te mësuesit dhe jo te fëmijët. Në qoftë se në një klasë me 30 veta janë 6-7 që bëjnë presion për nota, mësuesi është i detyruar të ulë stekën e vlerësimit për të gjithë, duke i hequr mundësinë e nxënësit të 8-ës ose të 9-ës mundësinë e rritjes, sepse jepet 10-ta, duke i dhënë mesazhin se nuk ka nevoje të lodhet më shumë”.

Hasimja bën edhe një shembull konkret. “Jemi i vetmi vend në Europë ku degën e Mjekësisë e kemi pa konkurs. Të gjithë duan të shkojnë aty për të emigruar në Gjermani, dhe përfundojnë aty jo nxënësit më të mirë por ato  që kanë qenë më të aftë të marrin nota fiktive në tre vitet e  gjimnazit dhe për të kopjuar në provim. Qëndrimi i shtetit ka qenë pak a shumë:  Doni 10, ja ngopuni me 10-ta!”.

Ndërkohë, për ekonomistin Dritan Shano, mesatarja e ulët është një nga treguesit që e alarmojnë më shumë. “ Unë kam qejf të flas për edukim, jo vetëm për arsim. Ulja e mesatares është alarm i madh si qytetar dhe si ekonomist, sepse nevoja kryesore që kemi për të trokitur në shekullin XXI është nevoja për një arsim cilësor që nuk ofrohet dot me mësues që nuk janë cilësorë për vete. Kemi 44 mijë mësues, le të paguhen ata në nivelin e zëvendësministrave. Arsimi nuk është thjesht shërbim publik, por burimi i vetëm strategjik i këtij vendi”.

Edhe për pedagogun Ilir Kalemaj, fiktiviteti i notës eshte një nga problemet madhore. “Shtetasit e huaj që duan të vijnë në universitet tona këtu e kanë të pamundur, sepse nuk bëjnë dot maturën shtetërore. Ti ke tre vitet e gjimnazet plus maturën si bazë vlerësimi, kemi një fiktivitet të notave ku dhe prej vitesh gjimnazi më i mirë në Shqipëri është ai i Gramshit. Ndërkohë në maturë nuk kemi një sistem të centralizuar siç është SAT në Shtete e Bashkuara ose në vende të tjera, që mund t’i mundësojë internacionalizmin e këtyre notave, në mënyrë që studenti të ketë fleksibilitet lëvizje, edhe jashtë vendit.  Në vendet që performojnë më mirë në PISA, si Finlanda, mësuesi shihet si ajka e shoqërisë, ndërkohë që këtu ka një status të degraduar ku pas shumë kërkesave dhe licencës, duhet të hysh edhe në portalin e Rilindjes”.

Përtej vështirësive dhe paradokseve shqiptare, sipas gazetarit Agim Baçi problematikat në Arsim shkojnë deri ne nivelin kuptimor. “Shkolla në vetvete ka humbur raport me kuptimin. Njoh fëmijë që flasin tre-katër gjuhë por nuk kuptojnë gjë. Fëmijët nuk dinë më të mendojnë vetë, larg qoftë ikën interneti nuk dinë të përgjigjen”, thotë ai.