“Rusët sulmojnë nga të gjithë drejtimet”, Zelensky: Mbi 200 mijë fëmijë janë deportuar në Rusi

Publikuar më: 2/6/2022, ora 15:18

“Rusët sulmojnë nga të gjithë drejtimet”, Zelensky: Mbi 200 mijë fëmijë janë deportuar në Rusi

Publikuar më: 2/6/2022, ora 15:18

Beteja për rajonin e Donbas-it po vijon rrugë më rrugë, me Rusët që kontrollojnë rreth 80 për qind të qytetit strategjik të Severodonetsk. Këtë e konfirmoi shefi i administratës ushtarake të rajonit tëLuhansk, Sergi Gaidai.

Ai tha se situata mbetet tejet e vështirë, pasi ushtria ruse po përpiqet të thyejë mbrojtjen ukrainase nga të gjitha drejtimet. Zyrtari ukrainas tha gjithashtu se luftimet e ashpra kishin pezulluar të gjitha përpjekjet e evakuimit nga Severodonetsku ku janë të bllokuar mijëra civilë.

“Është ekstremisht e rrezikshme të zhvillosh operacione të tilla. Qytetarët nuk duhet të bëjnë asnjë përpjekje për t’u larguar nga vendstrehimet. I gjithë rajoni i Luhansk po bombardohet në mënyrë konstante”, tha Sergiy Gaiday.

Forcat pushtuese bombarduan gjatë natës edhe qytetin e dytë më të madh në vend, atë të Harkivit, duke vrarë një grua e duke plagosur një person tjetër. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aviacioni rus kishte shkatërruar qendra të komandës të ushtrisë së Kievit.

Të paktën 3 vetë u plagosën në rajonin fqinj të Sumit dhe disa shtëpi u shkatërruan. Shpërthime u raportuan edhe në qytetin perëndimor të Lviv me pasojë plagosjen e 5 personave. Presidenti Zelensky denoncoi se mbi 200 mijë fëmijë ukrainas ishin deportuar në Rusi që prej fillimit të luftës. Sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Kiev mbi 260 të mitur janë vrarë deri më tani, ndërsa7.5 milionë kanë mbetur pa shkollë. Kievi pretendon se ka eliminuar mbi 30 mijë e 800 ushtarë rusë që prej 24 shkurtit.