100 ditë luftë, Moska po shënon sukses në lindje, BE miraton sanksionet e reja

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 14:17

100 ditë luftë, Moska po shënon sukses në lindje, BE miraton sanksionet e reja

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 14:17

Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë shënoi ditën e saj të 100-të, Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg paralajmëroi vendet perëndimore të përgatiten për një konflikt të gjatë.

Duke folur për gazetarët pas një takime me presidentin amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, Stoltenberg tha se aleanca ushtarake duhet të vijojë mbështetjen për Ukrainën, në atë që po bëhet një luftë e gjatë dhe e pandërprerë.

“Luftërat janë nga natyra të paparashikueshme dhe prandaj duhet të jemi të përgatitur për një konflikt të gjatë. Po shohim se kjo po bëhet një luftë rrënimi, ku ukrainasit po paguajnë një çmim të lartë për mbrojtjen e vendit të tyre në fushëbetejë, por gjithashtu Rusia po pëson humbje të rënda. Ashtu si shumica e luftërave me gjasë edhe kjo do të përfundojë në tryezën e negociatave. Por ajo që ndodh në tryezën e negociatave lidhet me situatën në terren kështu duhet t’i ndihmojmë ata në mënyrë që të kemi rezultatin më të mirë në konflikt”, u shpreh Stoltenberg.

Sakaq, në një deklaratë të lëshuar me rastin e 100 ditëve të agresionit Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se kjo do të jetë një luftë pa fitues. Presidenti Volodymyr Zelensky pasqyron hartën e re të shtetit në luftë, dhe thotë se 20 për qind e Ukrainës është në duart e rusëve.

E megjithatë në mesazhin e fundit, kreu i shtetit ukrainas foli për suksese të vogla të forcave të rezistencën në qytetin strategjik të Severodonetsk, në lindje të vendit.

“Situata në Donbas nuk ka ndryshuar në një ditë. Ne kemi shënuar suksese në betejën për Severdonetskun, e megjithatë është ende herët për të folur. Situata në rajon mbetet tejet e vështirë, veçanërisht në Severodonetsk, Lisiçansk dhe Bakhmut”, u shpreh Zelensky.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha në përditësimin e fundit se Rusia po shënon suksese taktike në rajonin e Donbas, por duke paguar një çmim të konsiderueshëm në resurse.

Sipas inteligjencës së Londrës, 90 për qind e Luhanskut, pjesë e rajonit të Donbas, kontrollohet tani nga Rusia dhe me gjasë Putin do të ketë kontrollin e plotë të zonës brenda dy javëve të ardhshme.

Sakaq, ambasadorët e vendeve të BE, i dhanë më në fund dritën jeshile paketës së 6 të sanksioneve për Rusinë, ku përfshihet embargoja e naftës ruse që vjen përmes detit.

Por Patriarku Kirill nuk do të jetë në listën e sanksioneve, pas kundërshtive të Hungarisë. Edhe SHBA-ja njoftoi një raund të ri sanksionesh për individë rusë.