100 ditë luftë në Ukrainë, konflikti vijon në lindje, Rusia kërkon heqjen e sanksioneve

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 09:47

100 ditë luftë në Ukrainë, konflikti vijon në lindje, Rusia kërkon heqjen e sanksioneve

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 09:47

Konflikti i armatosur mes Ukrainës dhe Rusisë ka hyrë në ditën e tij të 100, duke lënë pas vetëm vdekje e shkatërrim.

Ndonëse u konsiderua si një “operacion special” nga Rusia që do të zgjaste shumë pak, rezistenca ukrainase vijon të jetë e fortë dhe t’i shkaktojë dëme të mëdha ushtrisë pushtuese.

Pas dështimit të kontrollit të Kievit, ofensiva është zhvendosur prej javësh tashmë në rajonin e Donbas-it, në shumë qytete të së cilit makineria e luftës ka treguar të gjithë forcën e vet.

Rusia po ashtu kontrollon qytetet-port më të rëndësishme në Ukrainë dhe po e përdor këtë gjë si armë, pasi nuk po lejon eksportin e grurit ukrainas, duke rritur çmimet e ushqimeve në mbarë botën.

Edhe në daljen e fundit për mediat zv.presidenti i Këshillit të Sigurisë në Rusi, Dmitry Medvedev kërkoi që bllokimin e grurit ta përdorë për heqjen e sanksioneve ndaj vendit të tij, që po ashtu kanë shkaktuar dëme për ekonominë e qytetarët rusë.

Medvedev u shpreh për Al Jazeera se Perëndimi kërkon të fajësojë Rusinë për krizën ushqimore në botë, por kjo sipas tij është një gënjeshtër. Ai shtoi se për të përmirësuar situatën aktuale është e nevojshme heqja reciproke e sanksioneve

Në ditën e 100 të luftës, presidenti ukrainas pranoi se Rusia tashmë kontrollon 20% të territorit të vendit.

“Ushtria ruse pothuajse e ka shkatërruar të gjithë Donbas-in dhe vijon të vrasë të pafajshëm. Donbassi ishte një nga qendrat industriale më të forta në botë, tashmë është një rrënojë”, u shpreh Zelensky.