“Bankingu i Hapur” vjen edhe në Shqipëri, ekspertja: Pandemia i dha një hov procesit

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 21:30

“Bankingu i Hapur” vjen edhe në Shqipëri, ekspertja: Pandemia i dha një hov procesit

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 21:30

Banka e Shqipërisë miratoi këtë javë një rregullore të rëndësishme në mbështetje të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”. Rregullorja i hap rrugë konceptit të “bankingut të hapur”. Kjo do të thotë se klientët mund të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërish nëpërmjet bankës, ku kanë llogarinë.

Sipas ekspertes për sistemin financiar, Brunilda Isaj,  termi banking i hapur “po përdoret gjithmonë  e më tepër, jashtë zbatohet prej vitesh, ndërkohë që në Shqipëri paraqitet këto dy vitet e fundit me miratimin e ligjit të ri  për sistemin e pagesave dhe në kuadrin rregullator që po zhvillohet për këtë qëllim. Kushdo që përdor një aplikacion nga një institucion financiar, qoftë apo jo bankë, duke përdorur llogaritë e tij mund të kryejë pagesa dhe transferta pa u paraqitur në bankë”.

Sipas ekspertes, bëhet fjalë “për një komoditet që i ofrohet klientit, mund të shfrytëzohen resurse të ndryshme në një moment, është edhe një sistem avangard sepse të dhënat e përdorura mund të përpunohen për t’i ofruar klientit shërbime që i përshtaten atij”, duke ofruar edhe kosto më të ulëta si dhe pagesa më të sigurta.

Situata pandemike ka përshpejtuar këtë proces. “Padyshim, i dha një hov procesit dhe solli në fokus nevojën për të kryer shërbime në kanale më të thjeshta. Jashtë ka banka të vogla tërësisht digjitale që operojnë prej vitesh”. Në Shqipëri, sipas saj, trendi është për t‘u përgëzuar. “Edhe në sektorin bankar, 50% të transaksioneve janë tashmë në kanalet digjitale”, thotë Isaj në “Business News”.  

Zhvillimi i digjitalizimit mund të çojë drejt mbylljes së filialeve fizike? “Do të ndryshojë tipologjia e shërbimeve në ato filiale, për pagesa dhe transferta do të paraqiten gjithmonë  e më pak klientë, ndërkohë që për shërbime më të komplikuara si aplikimi për kredi dhe këshillimi për biznes, do vijohet shërbimi, në mënyrë më solide”.