Jubileu i Platintë, festa vijon pa Mbretëreshën

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 09:54

Jubileu i Platintë, festa vijon pa Mbretëreshën

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 09:54

Britania e Madhe është në festë. Parada shumëngjyrëshe, drita dhe parakalime me kuaj të trupave dhe pjesëtarëve të familjes mbretërore, po shënojnë Përvjetorin e Platintë, ose 70 vitet e Mbretëreshës Elizabeth II në fron.

Megjithatë, një ndryshim i paparashikuar programi njoftohet nga Buckhingam Palace. Mbretëresha nuk do të marrë pjesë në shërbesën që do të mbahet në katedralen e Shën Palit, pasi kishte ndjerë parehati, teksa ndiqte paradën e së enjtes. Pallati tha se vendimi ishte marrë me ngurrim të madh, pasi ishte konsideruar lëvizje dhe aktivitet i kërkuar.

Pavarësisht kësaj, monarkja mori pjesë në ceremoninë e ndezjes së pishtarit në kështjellën Windsor mbrëmjen e së enjtes. Me prekjen simbolike, ajo ndriçoi globin dhe përcolli zinxhirin e dritës nga kështjella Windsor në Buckhingam Palace, ku skulptura e një peme u mbulua me ndriçim në prani të princit William.

Sundimtarja 96-vjeçare u shfaq dy herë në ballkonin pallatit, e shoqëruar nga pjesëtarë të tjerë të familjes, teksa ndiqnin një paradë ushtarake dhe përshëndesnin mijëra qytetarë të mbledhur pranë pallatit. Disa orë pas ceremonisë u konfirmua mungesa e Mbretëreshës në shërbesën e së premtes ku do të bëhen falënderimet për 7 dekadat e saj në fron.

Aktiviteti i radhës, ku pritet të marrë pjesë, është gara me kuaj ditën e shtunë, edhe pse ende nuk dihet nëse do të jetë e pranishme. Ceremonitë festive po ndiqen edhe nga Princi Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan, të cilët kanë braktisur detyrat mbretërore dhe jetojnë në Kaliforni. Por çifti mbajti një profil të ulët në ditën e parë të aktiviteteve, dhe ndoqi paradën e ngjyrave nga një dritare, duke mos u bërë pjesë e procesionit me karroca si pjesëtarët e tjerë të familjes. Festimeve nuk i është bashkuar Princi Andrew, i cili është infektuar me koronavirus.