Minat ruse si ato serbe, ukrainasit trajnohen në Kosovë për t’i hequr

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 16:56

Minat ruse si ato serbe, ukrainasit trajnohen në Kosovë për t’i hequr

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 16:56

Me veshje mbrojtëse dhe maskë në fytyrë, Iryna Kutsovska lëviz me ngadalë detektorin e metaleve përmes një fushe me bar, në kërkim të minave false.

38-vjeçarja ukrainase, administratore e aviacionit civil, ka udhëtuar nga Kievi për në Kosovë, ku po trajnohet që të bëhet çminuese, pasi do të ketë detyrën e vështirë që të heqë minat dhe lëndët e tjera shpërthyese të vendosura në Ukrainë gjatë pushtimit rus.

“Ky është një ndryshim drastik në jetën time”, thotë ajo për Reuters. Kutsovska do të aplikojë për këtë punë sapo të rikthehet në vendlindje.

Iryna Kustovska, punonjëse e aviacionit civil, Ukrainë

Ajo dhe 12 bashkëkombës, civilë dhe ushtarakë, po marrin pjesë në një kurs katërjavor në Pejë, ku vendasit që kanë marrë pjesë në heqjen e mijëra minave të vendosura nga forcat serb, por edhe eksplozivëve të pashpërthyer nga avionët e NATO-s, po u përcjellin atyre njohuritë e fituara përgjatë viteve.

Me siguri vështirësia do të jetë shumë më e madhe për Kutsovskën dhe kolegët e saj kur të kthehen në Ukrainë. Zyrtarët e qeverisë dhe ushtrisë thonë se të gjitha zonat e rimarra nga forcat ruse janë të mbushura me mina. Sipas kryeministrit të vendit, Denys Shmyhal, do të duhet të pastrohet një territor me sipërfaqe 300 mijë metra katrorë.

Hekuran Dula, çminues dhe trajnues nga Kosova

“Lufta në Ukrainë po intensifikohet, por duhen hequr edhe pajisjet e pashpërthyera”, thotë trajnuesi Hekuran Dula. Ai punon në shoqatën e Ndërgjegjësimit për Minat, një shkollë që stërvit qindra kadetë nga e gjithë bota për t’u bërë çminues.

Minat që Rusia ka vendosur në Ukrainë janë të ngjashme me ato të vendosura në Jugosllavinë e viteve 1990. “Plani është që të trajnojmë sa më shumë njerëz të jetë e mundur, në mënyrë që ta kthejmë Ukrainën sërish në një vend të sigurt për të jetuar”, thotë Dula.