Pse puberteti vjen gjithmonë më herët? Ekspertët rendisin shkaqet

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 17:16
vajza qe lyhet 1 1280x720

Pse puberteti vjen gjithmonë më herët? Ekspertët rendisin shkaqet

Përditësuar më: 3/6/2022, ora 17:16

Puberteti është gjithnjë e më i hershëm, veçanërisht tek vajzat. Sipas ekspertëve ndikojnë mbipesha, stresi dhe kimikatet.

Në dekadat e fundit, djemtë dhe vajzat janë zhvilluar gjithmonë më herët. Sipas disa studimeve, mosha mesatare e fillimit të pubertetit te vajzat ka rënë me tre muaj çdo 10 vjet që nga vitet 1970. Puberteti i hershëm nuk do të thotë vetëm të filloni të rruheni dhe të ndryshoni zërin tuaj më herët se sa pritej. Zhvillimi i hershëm do të shoqërohej me një rrezik më të madh gjatë adoleshencës si vuajtja nga depresioni, ankthi, abuzimi me drogën dhe probleme të tjera psikologjike. Jo vetëm kaq: të kesh menstruacione më herët se normalja mund të rrisë gjithashtu rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit dhe mitrës në moshën madhore. Por cilët janë faktorët që kontribuojnë në fillimin e hershëm të pubertetit? Ekspertët nuk e dinë me siguri, por parashtrojnë disa hipoteza.

Obeziteti. Një nga faktorët që ndikon në fillimin e pubertetit është pesha trupore. Disa studime kanë treguar se vajzat mbipeshë ose obeze priren të zhvillohen më herët se ato me peshë normale. Një studim britanik i vitit 2021 zbuloi se leptina, një hormon i çliruar nga qelizat dhjamore që kufizon ndjenjën e urisë, vepron në pjesën e trurit që gjithashtu rregullon zhvillimin seksual.

“Nuk ka shumë dyshime: mbipesha kontribuon në ardhjen e hershme të pubertetit në ditët e sotme,” shpjegon për Neë York Times Natalie Shaë, endokrinologe pediatrike në Institutin Kombëtar të Shkencave të Shëndetit Mjedisor, duke theksuar se obeziteti nuk mund të jetë i vetmi shpjegim.

Substancat kimike. Një studim i vitit 2009 me afro 1000 vajza në Kopenhagen të Danimarkës zbuloi se mosha mesatare e zhvillimit të gjirit ishte pak më pak se 10 vjeç (një vit më herët se në një studim të mëparshëm në vitet 1990), ndërsa ajo e menstruacioneve rreth 13 vjeç (katër muaj më parë se rezultatet e mëparshme). Në këtë rast, mbipesha nuk mund të ishte shkaku, sepse BMI (Indeksi i Masës Trupore) i vullnetareve ishte i njëjtë me atë të vajzave të përfshira në kërkimin e mëparshëm.

Për këtë Anders Juul, autor i dy studimeve, propozoi një teori alternative: faji për zhvillimin e hershëm i atribuohej kimikateve me të cilat vajzat kishin rënë në kontakt gjatë jetës së tyre. Në studimin e vitit 2009, nënvizon ajo, vajzat që zhvilluan gjinjtë e parë ishin gjithashtu ato me nivelin më të lartë të ftalateve në urinë (substanca të përdorura për ta bërë plastikën më të zhdërvjellët). Por analizat e tjera nuk gjetën asnjë lidhje midis kimikateve dhe fillimit të hershëm të pubertetit. Kjo është arsyeja pse shumë studiues janë skeptikë ndaj teorisë së Juul-it.

Eksperienca të vështira dhe pandemia. Faktorë të tjerë që mund të bëjnë që puberteti të arrijë herët, të paktën te vajzat, lidhen me stresin dhe përvojat e vështira të jetës. Të abuzosh seksualisht në moshë të re, të kesh nëna që vuajnë nga çrregullime të humorit, të jetosh pa baba biologjik, të gjitha këto janë përvoja që mund të kontribuojnë në zhvillimin e hershëm. Covid mund të ketë luajtur gjithashtu rolin e tij. Sipas një studimi italian nga viti 2022, më shumë vajza u zhvilluan më herët se sa pritej gjatë pandemisë.

Parametra të vjetuar? Ajo që shfaqet është një pamje në të cilën është e vështirë të vizatohet një model i qartë i shkakut dhe pasojës. Faktorë të ndryshëm kontribuojnë në ardhjen e hershme të pubertetit, por asnjëri nuk duket të jetë vendimtar. Ndoshta ka ardhur koha për të përditësuar standardet tona, të cilat janë ende ato të shkallës Tanner, bazuar në vëzhgimet e kryera midis 1949 dhe 1971 mbi 700 djem dhe vajza që jetonin në një jetimore angleze. Sipas kësaj shkalle, puberteti duhet të fillojë normalisht në moshën 8 vjeç për vajzat dhe nga mosha 9 vjeç për djemtë. Nëse zhvillimi fillon më herët, është e nevojshme të kontrollohet që fëmija të mos vuajë nga një çrregullim i rrallë hormonal i quajtur pubertet i parakohshëm.

Megjithatë, disa mjekë argumentojnë se, në dritën e studimeve të reja, mosha minimale që konsiderohet normale për fillimin e pubertetit duhet të ulet, përndryshe fëmijëve të shëndetshëm mund t’u duhet t’i nënshtrohen procedurave të panevojshme mjekësore. Por jo të gjithë janë dakord. Shumë pediatër argumentojnë se rreziku i vuajtjes nga puberteti i parakohshëm është ende i lartë, dhe për këtë arsye bëjnë thirrje për kujdes.