Bashkimi Evropian uron Begajn për detyrën e Presidentit

Përditësuar më: 4/6/2022, ora 19:53
josep borrell tirane takohet me edi rama 1 1218x720

Bashkimi Evropian uron Begajn për detyrën e Presidentit

Përditësuar më: 4/6/2022, ora 19:53

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josef Borrell, ka uruar për detyrën e Presidentit zotin Bajram Begaj, i cili u votua sot në Parlament me 78 vota.

Në Twitter, Borrell shkruan: “Urime Bajram Begajt për zgjedhjen e tij si Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. Mezi presim që të punojmë bashkë për një marrëdhënie të sigurt dhe solide BE-Shqipëri, si anëtarë të familjes evropiane”.

Begaj u zgjodh zyrtarisht si Presidenti i ri i Republikës, pasi kandidatura e tij mori 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim, në Parlament. Në total, në votim morën pjesë 83 deputetë. Pjesa më e madhe e opozitës e bojkotoi seancën, por figura të veçanta, si Monika Kryemadhi, apo Shpëtim Idrizi, ishin të pranishëm.

Socialistët kishin të garantuara 77 vota, 74 nga radhët e veta dhe 3 nga radhët e Partisë Social Demokrate. Çka do të thotë që të paktën 1 votë nga opozita ka shkuar në favor të Begajt. Në votim morën pjesë 3 deputetë të LSI dhe 3 të PDIU, por zyrtarisht nuk dihet se cili prej tyre mund të ketë votuar pro.

Begaj bëhet kështu Presidenti i 8-të i Republikës pas rënies së sistemit komunist. Ai do të marrë mandatin 5-vjeçar, zyrtarisht më 24 korrik, kur edhe të përfundojë mandati i Ilir Metës.