Begaj President, Berisha: Akt antikushtetues dhe i rrezikshëm, Meta të mos lejojë këtë dhunim flagrant

Përditësuar më: 4/6/2022, ora 12:37
sali berisha 1081x720

Begaj President, Berisha: Akt antikushtetues dhe i rrezikshëm, Meta të mos lejojë këtë dhunim flagrant

Përditësuar më: 4/6/2022, ora 12:37

Ish-presidenti Sali Berisha, e ka quajtur shkelje të Kushtetutës kandidimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për postin e Presidentit të Repiublikës.

Në reagimin e parë që prej bërjes publik të emrit të Bajram Begajt nga Kryeministri Edi Rama, Berisha thotë se ushtarakëve aktivë u ndalohet “rreptësisht” të zgjidhen apo emërohen në detyra të tjera. Berisha gjithashtu kërkon ndihmë nga Meta që Begaj të mos zgjidhet President.

“Një akt antikushtetues dhe precedent tepër i rrezikshëm për vendin dhe demokracinë! Propozimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për postin e Presidentit të Republikës është një shkelje flagrante e Kushtetutës së vendit, me pasoja shumë të rënda për të sotmen dhe të ardhmen”, tha Berisha përmes një statusi në Facebook.

Sipas Berishës, neni 167 i Kushtetutës u ndalon rreptësisht ushtarakëve aktivë të zgjidhen apo emërohen në detyra. “Kjo shkelje e rëndë e Kushtetutës zhyt vendin në një krizë të rëndë kushtetuese.  Do të ishte antikushtetuese, e turpshme dhe jashtë çdo logjike ligjore të shpallje ushtarak jo aktiv atë që kalon nga karrigia më e lartë e Ushtrisë në karrigen më të lartë të shtetit. Në rast se gjeneral Begaj kishte ambicie politike, ai duhet prej kohësh të kishte hequr dorë nga funksionet ushtarake. Për qëndrimin e tij të dy ditëve të fundit ai provon se nuk njeh ligj as Kushtetutë për ambiciet e tij për pushtet, ndaj dhe duhet larguar urgjent nga Ushtria si preson i rrezikshëm për vendin. Njëlloj si sot, Bajram Begaj, nesër një pasardhës i tij mund të përdorë këtë precedent kushtetues për të uzurpuar qoftë dhe me grusht shteti, kreun e shtetit. I bëj thirrje Presidentit të Republikës të mbrojë Kushtetutën dhe të mos lejojë këtë dhunim flagrant e tejet të rrezikshëm të saj”.

Kuvendi do të votojë sot në orën 18:00 për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj. Shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë ishte propozim i Partisë Socialiste dhe nëse zgjidhet, do të jetë presidenti i tetë pas pluralizmit, ndërsa i treti që vjen me karrierë ushtarake, pasi më herët e kanë mbajtur postin e kreut të shtetit ish-ushtarakët, Alfrd Moisiu dhe Bujar Nishani.