Dyshohet një rast me linë e majmunëve në Kosovë, mostra do të dërgohet në Holandë

Përditësuar më: 4/6/2022, ora 12:34
klinika 1 1280x720

Dyshohet një rast me linë e majmunëve në Kosovë, mostra do të dërgohet në Holandë

Përditësuar më: 4/6/2022, ora 12:34

Një pacient në Kosovë është regjistruar si rast i dyshimtë se mund të jetë infektuar me linë e majmunëve. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se më 3 qershor një 69-vjeçar nga Dragashi ka kërkuar ndihmë pranë Klinikës Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas ministrisë, pacientit i është marrë një mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet në laboratorin referent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Holandë për testim.

“Presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas MSH-së, pacienti është në gjendje stabile dhe në izolim, ndërsa po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike dhe gjurmimi i kontakteve.

Lia e majmunëve është zbuluar për herë të parë në majmunë, në vitin 1958, në Afrikë. Rasti i parë në njeri është regjistruar në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos. Deri më tani, lia e majmunëve ka qenë e përqendruar vetëm në një numër të vogël të vendeve afrikane. Por, javëve të fundit, ato janë shfaqur shpejt në disa shtete të Evropës, SHBA-së, Australisë e të tjera. Numri i tyre ka arritur tashmë në disa qindra.