
Meta dekreton nga Stambolli lirimin nga detyra të Bajram Begajt
Presidenti Ilir Meta dekretoi nga Stambolli lirimin nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura, të Gjeneral Major Bajram Begaj.
Dekreti i hap rrugë votimit të Begajt për President të Republikës, gjatë seancës së sotme në Kuvend.
Begaj është emri i zgjedhur nga socialistët për të marrë postin më të lartë shtetëror, por menjëherë pas bërjes publike të emrit, kandidatura u kundërshtua nga opozita.
Të shtunën, Sali Berisha e quajti shkelje të Kushtetutës kandidimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për postin e Presidentit të Republikës. Ai i kërkoi Metës që të mos e lejonte që “dhunimi i flagrant i Kushtetutës” – të ndodhte.
Por në një reagim të Presidencës, zëdhënësi Tedi Blushi tha se Meta do të do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë.