Meta i bashkohet urimeve për pasuesin e tij

Publikuar më: 4/6/2022, ora 20:00
272445193 479201673575073 8371078065484901806 n 1070x720

Meta i bashkohet urimeve për pasuesin e tij

Publikuar më: 4/6/2022, ora 20:00

Presidenti Ilir Meta ka uruar pasuesin e tij në këtë post, Bajram Begaj. Në një postim të shkurtuar në Facebook, Meta shkroi: “Urime Presidentit të zgjedhur sot nga Kuvendi i Shqipërisë, z.Bajram Begaj!”.

Pak orë para votimit të Begajt në Kuvend, Meta dekretoi nga Stambolli lirimin e tij nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, duke i hapur rrugë futjes së kandidaturës së tij në Komisionin e Ligjeve.

Veprimi i Metës u konsiderua shkelje e rëndë nga Sali Berisha, pasi sipas tij dekreti u firmos jashtë territorit të Shqipërisë dhe për këtë arsye nuk vlen. Por kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se dekreti ishte firmosur në selinë e Konsullatës së Shqipërisë në Stamboll, ku Meta ndodhej për një vizitë zyrtare.

Begaj u zgjodh zyrtarisht si Presidenti i ri i Republikës, pasi kandidatura e tij mori 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim, në Parlament. Në total, në votim morën pjesë 83 deputetë. Pjesa më e madhe e opozitës e bojkotoi seancën, por figura të veçanta, si Monika Kryemadhi, apo Shpëtim Idrizi, ishin të pranishëm.

Socialistët kishin të garantuara 77 vota, 74 nga radhët e veta dhe 3 nga radhët e Partisë Social Demokrate. Çka do të thotë që të paktën 1 votë nga opozita ka shkuar në favor të Begajt. Në votim morën pjesë 3 deputetë të LSI dhe 3 të PDIU, por zyrtarisht nuk dihet se cili prej tyre mund të ketë votuar pro.