Në foto, 30 vite Shqipëri

Publikuar më: 4/6/2022, ora 14:33

Në foto, 30 vite Shqipëri

Publikuar më: 4/6/2022, ora 14:33

Ishte viti 1993 ku ai mbërriti në Shqipëri me një mision ndryshe nga ai me të cilin kthehet sot pas gati 3 dekadash. Maurizio Bosio është mjek dhe si i tillë erdhi edhe në vendin tonë. Udhëtoi nga Italia, por që nga ajo kohë është rikthyer herë pas here në këtë vend të kontrasteve të mëdha. Atë kohë ai realizoi disa fotografi. I mbajti si një ditar udhëtimi dhe si një udhëtim në kohë sot, na prezanton një album të Shqipërisë ndër vite, i gjithi i realizuar në bardhezi, një metaforë që ai vetë do ta rrëfejnë në këtë prezantim të ditarit të vet të imazheve, por që njëkohësisht është edhe ditari i një Shqipërie që zbukurohet e shëmtohet njëkohësisht.

 “Besoj se pyesni veten pse një i huaj merr për zemër çështjet sociale të një vendi tjetër. Besoj më prezantuan dhe ju tashmë e dini që unë jam një mjek nuk kam asnjë interes financiar apo politik, sepse nuk jam as politikan për të ndërhyrë në këto çështje. Ky album lindi për arsye subjektive të cilat do t’ua rrëfej një nga një. Kur erdha në Shqipëri në mars të vitit 1993 më bëri përshtypje mënyra e jetesës në vendin tuaj. Në qershor të këtij viti nisa të realizoj disa fotografi që shënjonin jetën sociale në Shqipëri. Në Dajt, për shembull, ky imazh portretizon një bari djaloshar dhe nënën e tij, simbolizon situatën në të cilin ndodhej vendi. E reja që ishte në një fazë rritjeje, sheh në mënyrë të hutuar drejt së ardhmes, si në një gjendje transi e cila është tipike e ndjesive të të rinjve dhe imagjinatës së tyre, ndërsa e vjetra, tradita vepron sipas kulturës dhe normave të deriatëhershme, kulturës së vet. Kultura, kjo është fjala kyçe që më ka sintetizuar gjatë gjithë udhëtimit tim pastaj”, tregon për A2 CNN autori.

Fotografi italian Maurizio Bosio

Dhe ndonëse është mjek, Bosio ka ditur të sjellë artistikisht edhe imazhe të Shqipërisë ndër vite. Edhe profesionistët e imazhit e thonë këtë, ndonëse mjafton vetëm t’i shijosh imazhet e Bosios për të kuptuar se arti është aty në secilën nga fotografitë e prezantuara në këtë album.

Për Mauricio Bosio kultura e një vendi është e rëndësishme dhe është bukur ta trashëgosh nga brezi në brez, ndaj edhe mes shumë imazheve që ka nga Shqipëria ka zgjedhur ato që kanë lidhje me trashëgiminë kulturore.

 “Një nga fotografitë më interesante sa i përket kësaj fjale, kulturës, ndodhi edhe në Lezhë. Gjatë udhëtimit aty, një zotëri i cili më dëgjoi të flisja italisht dhe e kuptoi që po realizoja disa foto, i kërkoi në italisht bashkudhëtarëve të mi që ta prisnim vetëm dy minuta sa të shkonte në shtëpi dhe të na tregonte një libër. Ai iku dhe u kthye me këtë libër në dorë, Lahutën e Malcis, veprën e Gjergj Fishtës të cilën më shpjegoi më pas se e kishte ruajtur me kujdes, e kishte fshehur për vite të tëra sepse gjatë sistemit komunist ishte e ndaluar të dukeshe me këtë vepër. Pra, ju e kuptoni besoj edhe më mirë se një italian kurajon me të cilën po prezantohesha unë. Dhe kur ky bari u ul në hapësirën e Lisusit me librin, për mua u shndërrua në një ikonë të dinjitetit dhe fisnikërisë shpirtërore, që lë punën me të cilën siguron jetesën dhe u ngrit të merrte veprën e për të më rrëfyer mua pasurinë e tij përballë varfërisë në të cilën e gjeta. Fuqia simbolike e imazheve na ndihmon të depërtojmë në kuptim e gjërave. Tërësia e objekteve  që gjeta në Lezhë, si përshembull në imazhin që munda të realizoj në lidhje me mauzoleun e Gjergj Kastriot Skënderbeut tregon se ai ka jetuar vërtet dhe ka luftuar dhe se nuk është thjesht një mit, pavarësisht se trupi i tij nuk është sot, u zhduk nga turqit. Pikërisht objektet na lidhin me personazhin dhe jetësoren dhe kulturën. Është një marrëdhënie që nxit kreativitetin dhe ripërtëritjen e vetë kulturës çka na jep edhe një lloj përgjegjësie. Dhe ajo përgjegjësi është të transmetosh kulturën dhe të bukurën që gjen në rrugëtimin tënd”, shton italiani.

Albumi fotografik i Maurizio Bosio

 I tregon se fotografitë janë shkrepur edhe nga një frymëzim i çastit, aty për aty, por me një qëllim të caktuar sepse çasti i memorizuar në kujtimet e mjekut, i tregonte se intuita kishte një mesazh për të.

“Përshembull, një nga imazhet që unë kam lidhur me kulturën është ajo e nipit të një bariu që gjeta gjatë udhëtimeve të mia. Sapo e pashë, mu kujtua një vepër arti e shekullit III para erës sonë që e gjen edhe në muzeun e Tiranës. Pra e shkuara e hershme dhe e tashmja të bëhen bashkë në kujtesën time , njëlloj sikurse shpesh bëhen bashkë edhe në një imazh të vetëm. Këto janë imazhe joshëse dhe një mision i rëndësishëm për të ruajtur kulturën sipas meje. Një tjetër shembull është imazhi që kam nga kisha e Voskopojës, një vend plot art me afresket që ruhen nga priftërinjtë. Ky është një prift, gardian i kulturës, por jo vetëm një prift. Ai është si një gardian që ruan shenjtorin, por vjen edhe i ngjashëm me shenjtorin që shfaqet në këto afreske. Unë erdha këtu me një mision tjetër, por kam bërë edhe fotografi që vetë vendi juaj dhe kultura e trashëguar nga ju më ka prezantuar. Rezultati ishte nxitja e imagjinatës që bënte bashkë disa emocione, jo vetëm të bukura siç shpjegova, por edhe revoltuese herë pas here. Kam ndier disa emocione për shembull kur vizitova Krujën, realizova disa foto dhe kur u ula të flisja me banorët u mbusha me të tjera ndjesi. Revolt se qyteti ishte betonizuar shumë dhe pafuqi për ta ndaluar këtë gjë, apo për ta zhbërë këtë që ata vetë e kishin bërë. Ka disa ndjesi që përzien në këtë ditar udhëtimi”, thotë Maurizio Bosio.

Ndonëse është i huaj dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me trashëgiminë kulturore në Shqipëri, mendon se do të jetë i pandjeshëm ndaj padrejtësive të vetë njerëzve të këtij vendi, por jo. Bosio tregon se ka momente kur emocionet përzihen me njëra tjetrën dhe nuk i mungon shpesh edhe revolta për sjelljen që ka gjetur këtu kundrejt kulturës.

Një nga fotot e albumit te Maurizio Bosio

“Po këtë gjë e kam ndier edhe në Durrës. Kur vizitoja pjesën e vjetër të qytetit, dhe fotografoja. Tani kthehem këtu dhe nuk i gjej gjërat njëlloj. Për shembull kam një fotografi të një mozaiku të shekullit të gjashtë në mos gaboj, të ciline kam fiksuar në foto, pasi e gjeta në mes të korridoret e amfiteatrit. Ishte një mozaik ndoshta unik në llojin e vet, diçka e jashtëzakonshme që e gjeta në koridoret e amfiteatrit, por tanimë nuk ekziston më. Plagët e artit janë të fshehura si në ikonat e vjedhura. Afreske shumë afër fabrikës së Elbasanit, apo te portretet e peshkatarëve ndoshta s’kanë lidhje me këto plagë që ka arti kur nuk konservohet apo ruhet me kujdes. Por, kjo është edhe arsyeja pse kam zgjedhur që ky album të jetë bardhezi, sepse dot këtë ndjesi kam për plagët e artit. Ka aspekte drite dhe errësire në ndjesitë që japin këto fotografi për mua. Kjo ka lidhje edhe me terapinë e një trupi njerëzor. E zeza depërton te e bardha  për të na treguar disa të vërteta që ndonjëherë janë të bukura e ndonjëherë edhe drita në errësirë tregon dhembje. Kështu ndodh edhe gjatë një terapie mjekësore, që ndërmerr një mjek që kërkon të shërojë dhembjen dhe të zezat e një trupi duke i dhënë dritë errësirës dhe duke nxjerrë në pah të bukurën”, përfundon autori i albumit fotografik kushtuar vendit tonë.