“Nuk luaj dot pa tifozin tim numër 1”, ylli i Argjentinës tërhiqet pas vdekjes së babait

Përditësuar më: 4/6/2022, ora 15:41

“Nuk luaj dot pa tifozin tim numër 1”, ylli i Argjentinës tërhiqet pas vdekjes së babait

Përditësuar më: 4/6/2022, ora 15:41

Carlos Tevez, një prej sulmuesve më të mirë të brezit të tij, i cili ka luajtur me disa nga skuadrat më në zë të botës, njoftoi tërheqjen nga futbolli i luajtur, pasi pranoi se nuk mund të zbriste më në fushë që prej vdekjes së babait të tij një vit më parë.

Ish-lojtari i Manchester United, Manchester City, Juventus dhe Boca Juniors, tha se nuk do të rikthehej më në fushë, pavarësisht se kishte 1 vit që merrte oferta.

“Jam tërhequr, është zyrtare”, tha Tevez në një emision televiziv argjentinas. “Kisha disa oferta por si lojtar kam dhënë gjithçka tashmë. Viti i fundit te Boca ishte i vështirë për shkak se babai kishte pësuar vdekje klinike. Një ditë u zgjova dhe i thashë Vanessa-s (bashkëshortes) se nuk dua të luaj më. Më pyesin gjatë gjithë kohës pse nuk dua të luaj dhe iu përgjigjem: Humba tifozin numër 1 që kisha”.

Tevez ka luajtur për tre periudha të ndryshme te Boca. Gjithashtu, përveç se me dy klubet angleze dhe bardhezinjtë, ka veshur fanellën e West Ham, Corinthians në Brazil dhe skuadrës kineze Shanghai Shenhua.

38-vjeçari ka fituar 25 trofe me klubet ku ka luajtur. Gjithashtu ka shënuar 13 gola në 76 ndeshje me përfaqësuesen e Argjentinës.