Fshehje pasurie dhe falsifikim, SPAK merr të pandehur gjyqtaren e vetting-ut

Publikuar më: 4/6/2022, ora 10:33

Fshehje pasurie dhe falsifikim, SPAK merr të pandehur gjyqtaren e vetting-ut

Publikuar më: 4/6/2022, ora 10:33

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka ngritur akuza penale ndaj një tjetër anëtari të trupave gjykuese të vetting-ut. Këtë radhë, në filtrat e SPAK-ut ka ngecur gjyqtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja.

Anëtarja e trupave gjykuese që ka vendosur për fatin e qëndrimit ose jo në sistem të dhjetra gjyqtarëve e prokurorëve, akuzohet nga SPAK-u për “fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë” dhe për “falsifikim të dokumenteve”. Burime pranë Prokurorisë së Posaçme, bënë me dije se ndaj Çiftes kanë qenë disa kallëzime. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ka mangësi në deklarimin e bërë prej saj në lidhje me pasuritë para se të bëhej pjesë e vetting-ut dhe për paraqitjen prej saj të një dokumenti të falsifikuar kur aplikoi për në KPK.

Gjyqtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çifjta

Pas komunikimit të akuzës, në ditët në vijim pritet që KPK të mblidhet për të vendosur nëse Çiftja do të pezullohet nga detyra deri në përfundim të “hesapeve” me drejtësinë.

Çiftja është e treta në radhën e gjyqtarëve të vetting-ut që përballet me SPAK. Më herët, SPAK ngriti akuzë për ish-anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci. Ai u gjykua për “falsifikim të dokumenteve”, vepër për të cilën u fajësua në tre shkallë të gjykimit, vendim që e çoi më pas edhe në shkarkim nga detyra.

Ndërsa pak ditë më parë, SPAK dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të anëtarit të pezulluar të shkallës së dytë të vetting-ut, Ardian Hajdari. Ai akuzohet për “fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë”, për periudhën kur ka ushtruar funksionin e avokatit.

Daci dhe Hajdari u kallëzuan nga ish-gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar nga vetting-u.