Kandidatët për Gjykatën Kushtetuese, Meta letër Kadastrës: Po vononi punën e KED për vakancat

Përditësuar më: 6/6/2022, ora 19:28

Kandidatët për Gjykatën Kushtetuese, Meta letër Kadastrës: Po vononi punën e KED për vakancat

Përditësuar më: 6/6/2022, ora 19:28

Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një letër zyrtare drejtorit të Kadastrës, Artan Lame, të cilit i kërkon t’i kthejë përgjigje Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, lidhur me kërkesën e institucionit për të marrë të dhënat e pasurive të kandidatëve që synojnë të bëhen pjesë e Gjykatës Kushtetuese.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në funksion të verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave të paraqitura, me shkresë zyrtare i është drejtuar në mënyrë të përsëritur Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që prej muajit mars 2022, duke kërkuar të dhëna lidhur me pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale të regjistruara në regjistrat e pasurive të paluajtshme të kandidatëve që kanë shprehur interes për tu emëruar/zgjedhur si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe personave të lidhur me ta, për arsye se disa drejtori vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nuk kanë përcjellë ende përgjigje”, shkruan Meta.

Për neglizhencën e Kadastrës, Presidenca gjen 2 arsye. 

“Në kushtet kur shumica e zyrave vendore kanë kthyer përgjigje dhe vetëm disa prej tyre ende jo, është e qartë se nuk ka asnjë pengesë objektive për këtë mosreagim, por është e dukshme që këto zyra ose nuk kanë njohuritë për zbatimin e ligjit, ose nuk kanë vullnet për të vlerësuar dhe mbështetur këtë proces me kaq rëndësi për vendin, siç është një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale”, shton presidenti.

Në rast se Kadastra nuk kthen përgjigje brenda afateve të përcaktura nga KED, Meta nënvizon se do ta konsiderojë mosveprimin si të qëllimshëm, për ta shtyrë për zgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën e Kushtetuese, përtej mandatit të tij presidencial.

“Në kushtet kur sërish edhe pas kësaj kërkese të përsëritur të KED për informacion, nuk do të kthehet përgjigje brenda afatit të caktuar nga KED (afat që përfundon në datën 10.6.2022), çdo vonesë do të konsiderohet si veprimtari e qëllimshme, që provon tashmë çdo dyshim se kjo veprimtari bllokuese bëhet për të shtyrë në kohë procesin e verifikimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese,përtej datës 24 korrik 2022, në shkelje të çdo afati ligjor”.

Presidenti kërkon nga Lame të tregojë gatishmërinë e tij dhe të angazhojë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për të dërguar informacionin e kërkuar.