MTV Movie & Tv Awards: “Spiderman” filmi më i mirë, çmimi i brezave për Jennifer Lopez

Publikuar më: 6/6/2022, ora 13:58

MTV Movie & Tv Awards: “Spiderman” filmi më i mirë, çmimi i brezave për Jennifer Lopez

Publikuar më: 6/6/2022, ora 13:58

U ndanë të dielën, në Santa Monica të Kalifornisë, çmimet për filmin dhe ekranizimet më të mirë në televizion, në galanë e MTV Movie and Tv Awards.

Mes 26 çmimeve që u ndanë brenda natës, spikati ai për aktoren dhe këngëtaren 52-vjeçare, Jennifer Lopez, e cila u nderua me çmimin e brezave.

“Dua të falënderoj të gjithë ata njerëz që ndër vite më kanë folur ballë për ballë, por edhe ata që kanë folur pas kurrizit tim. Pa ju s’do ia dilja. Dhe e di që s’mund t’ia dilja pa fansat e mi, ata që kanë parë të gjithë filmat e mi. Ju jeni arsyeja që unë jam këtu prej kaq vitesh dhe ju dua shumë”.

Lopez mori çmimin edhe për këngën më të mirë “On my way”, kolonë zanore e filmit më të fundit, “Marry Me”.

Aktori e komediani amerikan, 52-vjeçari, Jack Black, u nderua me çmimin e gjeniut të komedisë. 

“Nuk e meritoj, por do ta marr. Faleminderit MTV! Kjo është për të gjitha shkollat e rrokut atje jashtë. Mbi të gjitha, për bashkëshorten time fantastike, Tania, dhe 2 djemtë tanë. Ju dua shumë”.

Filmi më i mirë i vitit, mes 6 rivalëve, u shpall “Spider Man, No Way Home”, që pushtoi kinematë për më shumë se 3 muaj. Bashkë me titullin e filmin, aktori Tom Holland rrëmbeu po ashtu çmimin e performancës më të mirë, për po të njëjtin film, Spiderman.

Heroi më i mirë, në një film aksioni, shkoi për Scarlett Johansson dhe rolin e saj në filmin Black Widow. Ryan Reynolds rrëmbeu çmimin e performancës më të mirë në një film komedi për rolin në filmin “Free Guy”. 

Sa i përket kategorisë së shfaqjeve më të mira televizive, The Tonight Show me Jimmy Fallon, ndërsa prezantuesi më i mirë shkoi për Kelly Clarkson.