Rusia kërcënon perëndimin, Britania do të furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë

Përditësuar më: 6/6/2022, ora 10:14

Rusia kërcënon perëndimin, Britania do të furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë

Përditësuar më: 6/6/2022, ora 10:14

Mbretëria e Bashkuara nuk i druhet kërcënimit të Rusisë. Qeveria e Londrës njoftoi se do të dërgojë në Ukrainë raketat e para me rreze të gjatë. Ministri i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se sistemi raketor i shumëfishtë M270 do t’i ndihmojë forcat e Kievit që të mbrojnë territorin e tyre përballë agresionit ushtarak të Rusisë.

Qeveria britanike nuk ka konfirmuar se sa armë do të dërgojë, ndërsa BBC me burimet e veta thotë se fillimisht do të jenë vetëm tre. Vendimi ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që javën e kaluar njoftuan se do të dërgojnë sisteme të avancuara raketore me rreze të mesme.

Kjo lëvizje nga Uashingtoni zemëroi Moskën dhe së fundmi, presidenti Vladimir Putin, kërcënoi të zgjeronte listën e shënjestrave, të cilat Rusia do t’i godasë në Ukrainë nëse vendet perëndimore dërgojnë armë me rreze të gjatë në Kiev.

Ushtarët ukrainas do të trajnohen të përdorin armën e fuqishme, e cila është në gjendje të lëshojë 12 raketa njëkohësisht brenda një minute dhe të godasë shënjestra deri në 80 kilometra distancë me shumë saktësi.

Në ndihmë të Kievit edhe Spanja. Qeveria e Madridit bën me dije se do të furnizojë Ukrainën me raketa anti-ajrore dhe tanke Leopard për të forcuar mbështetjen ushtarake dhe rezistencën e vendit të përfshirë nga lufta.