Besimi tek ekonomia, rritet për herë të parë këtë vit në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë

Publikuar më: 7/6/2022, ora 17:23

Besimi tek ekonomia, rritet për herë të parë këtë vit në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë

Publikuar më: 7/6/2022, ora 17:23

Besimi i biznesit dhe konsumatorëve shënoi për herë të parë rritje që prej fillimit të vitit. Treguesi i Ndjesisë Ekonomike, publikuar nga Banka e Shqipërisë, u rrit me 4.6% në muajin maj, ndikuar kryesisht nga optimizmi në sektorët e shërbimeve dhe tregtisë.

Bizneset në këto degë të ekonomisë vlerësojnë pozitive ecurinë e aktivitetit të tyre, kërkesën, si dhe kanë pritshmëri të mira për punësimin në muajt e ardhshëm. Rritje e besimit konstatohet edhe në sektorin e industrisë, veçanërisht përsa i përket prodhimit dhe punësimit.

Banka e Shqipërisë konstaton se edhe treguesi i besimit konsumator shënoi një rritje të lehtë me 2%, duke reflektuar vlerësimin lidhur me blerjet në shuma të mëdha, pritjet e konsumatorëve për situatën e tyre financiare dhe për situatën e përgjithshme ekonomike në vend. I vetmi sektor që shfaqi një përkeqësim të lehtë të besimit ishte ai i ndërtimit.

Vrojtimi i fundit i Bankës Qendrore për rritje të besimit në ekonomi tregon se tek bizneset dhe qytetarët po krijohet ideja se rritja e çmimeve ka arritur pikun dhe tashmë pritet stabilizimi. Një parashikim ky edhe i skenarit bazë të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit inflacioni do të arrijë nivelet më të larta mes tremujorit të dytë dhe të tretë dhe mund të fillojë rënien në muajt e fundit të vitit.