Brenda bllokut të sigurisë, “vendgrumbullimi” i të gjithë atyre që arrestohen në Tiranë

Publikuar më: 7/6/2022, ora 14:57

Brenda bllokut të sigurisë, “vendgrumbullimi” i të gjithë atyre që arrestohen në Tiranë

Publikuar më: 7/6/2022, ora 14:57

Blloku i sigurisë, një investim i Policisë së Shtetit, pritet që të shmangë një prej problemeve më të mëdha në komisariatet e Tiranës, siç është mbipopullimi, por nga ana tjetër të minimizojë edhe ngjarjet tragjike, siç kanë qenë vetëvrasjet.

Kjo godinë 5-katëshe përbëhet nga 66 dhoma sigurie. Këtu do të qëndrojnë personat e ndaluar për ngjarje të ndryshme, ndërkohë që i është kushtuar rëndësi e veçantë edhe sigurisë së tyre; në çdo dhomë të këtij blloku ka edhe çelësin e alarmit ku çdo person i ndaluar ose shoqëruar mund të thërrasë edhe efektivët e policisë.

Nga ana tjetër, sipas informacioneve të Policisë së Shtetit, bëhet me dije se në këtë bllok sigurie do të qëndrojnë të gjithë ata persona të ndaluar, të cilët presin edhe vlerësimin e masës së sigurisë nga ana e gjykatave.

Godina, e ndërtuar pranë paraburgimit 302 në rrugën “Mine Peza”, është gati, ndërsa ka një sipërfaqe totale prej 746 metrash katrorë.

Blloku i sigurisë do të ketë staf të veçantë, kamera sigurie për monitorimin e punës së punonjësve të policisë, dhoma intervistimi si dhe çdo ambient tjetër për nevojat personale të të arrestuarve.

Ndërtesa do të shërbejë dhe për personat e shoqëruar, atëherë kur komisariatet nuk kanë kapacitete për mbajtjen e tyre.