“Do ta rifitojmë Severodonjeckun”, Zelensky: Rusët duan Zaporizhian, zero takime për paqe

Përditësuar më: 7/6/2022, ora 10:46

“Do ta rifitojmë Severodonjeckun”, Zelensky: Rusët duan Zaporizhian, zero takime për paqe

Përditësuar më: 7/6/2022, ora 10:46

Lufta në lindje të Ukrainës është e një shkalle të gjerë. Ushtria e Rusisë ka përshkallëzuar ofensivën në Donbas, ndërsa po i mësyn dhe veriut, kryesisht qytetit kyç, Sloviansk. Kievi kërkon më shumë armë me rreze të mesme dhe të gjatë, teksa njofton se trupat e Vladimir Putin kanë intensifikuar sulmet raketore dhe ato ajrore kundër ushtarëve të rezistencës dhe infrastrukturës.

Ndërsa, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi sesa më shumë armë të dërgojë perëndimi në Ukrainë, aq më shumë do të përparojë ushtria ruse. Nga ana tjetër, presidenti Volodymyr Zelensky tha se 2500 të burgosur nga metalurgjiku Azovstal i Mariupolit po mbahen në Donjeck dhe Luhansk.

Ai shtoi se takimet për paqe me Rusinë janë në nivelin zero dhe zbuloi një synim të Moskës për të pushtuar qytetin strategjik të Zaporizhzhias.

Zelensky foli për situatë tepër të rëndë në rajonin e Donbasit, teksa premtoi rimarrjen e kontrollit të Severodonjeckut.

“Kemi një situatë shumë të vështirë në lindje. Ju jeni njohur tashmë me atë që po ndodh në Severodonjeck. Ne po rezistojmë. Ata janë më të shumtë në numër dhe më të fuqishëm. Por, pavarësisht kësaj, mendoj se i kemi të gjitha mundësit për të luftuar në këtë aks”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas nënvizoi se sulmet e Rusisë në Severodonjeck dhe Lysiçansk, në rajonin e Donbasit, i kanë shndërruar ato në “qytete të vdekura”.

Inteligjenca britanike thotë se Moska synon të izolojë këto zona, ndërsa raporton se Kievi ka rifituar pak terren në Severodonjeck. Ndërkohë, ushtarët e Putinit kanë sulmuar edhe qytete të tjera ukrainase, si Sumi dhe Kerson. Në jug, anijet e flotës ruse në Detin e Zi janë tërhequr mbi 100 kilometra nga brigjet ukrainase.