Financat e bashkive, rriten të ardhurat, por investimet mbeten të ulëta

Përditësuar më: 7/6/2022, ora 17:21

Financat e bashkive, rriten të ardhurat, por investimet mbeten të ulëta

Përditësuar më: 7/6/2022, ora 17:21

Bashkitë kanë mbledhur më shumë taksa e tatime vitin e kaluar, duke lënë pas efektet e tërmetit dhe pandemisë. Të dhënat e raportit të Financave Vendore për vitin 2021, publikuar nga Coplan dhe Ministria e Financave tregojnë se 61 bashkitë në vend mblodhën rreth 29 miliardë lekë të ardhura ose 22% më shumë se një vit më parë.

Zgjerimi i të ardhurave në pjesën dërrmuese të bashkive ka ndodhur nga burimet e veta, cka tregon për rritjen e barrës fiskale që ka aplikuar një pjesë e pushtetit vendor.

Por si i kanë përdorur bashkitë paratë e qytetarëve? Të dhënat e raportit tregojnë se vitin e kaluar, bashkitë përdorën rreth 79% të fondeve të tyre ose rreth 41 miliardë lekë për mbulimin e shpenzimeve korrente, e thënë ndryshe për paga dhe funksionimin e administratës. Ndërsa vetëm 21% e fondeve ose 11 miliardë lekë kanë shkuar për investime.

Pavarësia financiare mbetet një problem për pushtetin vendor në Shqipëri dhe veçanërisht për bashkitë e vogla, që kanë pak mundësi për të mbledhur të ardhura dhe në këto kushte janë të varura nga transfertat që jep qeveria nga buxheti. Kjo pavarësisht reformës administrative-territoriale, qëllimi kryesor i të cilës ishte pikërisht decentralizimi.