“Të marrim shembullin e BE-së”, Presidenti i Meksikës bën thirrje për “supershtetin” amerikan

Përditësuar më: 7/6/2022, ora 15:53
manuel lopez obrador ben thirrje per bashkimin e amerikave 1081x720

“Të marrim shembullin e BE-së”, Presidenti i Meksikës bën thirrje për “supershtetin” amerikan

Përditësuar më: 7/6/2022, ora 15:53

Presidenti i Meksikës, Manuel López Obrador, ka hedhur idenë e krijimit të një shteti të përbashkët amerikan, nën shembullin e Bashkimit Europian.

Gjatë një konference për mediat ku shpjegoi se do të mungojë në Samitin e Amerikave – që organizohet në datat 6-10 qershor në Los Anxhelos – për shkak se në të nuk janë thërritur drejtuesit e disa shteteve, Obrador hodhi idenë e bashkimit të shteteve, për të realizuar kështu ëndrrën e Simon Bolivar, një udhëheqës ushtarak dhe politik venezuelas i shekullit XVII i cili udhëhoqi drejt pavarësisë disa shtete të Amerikës Qendrore dhe asaj të Jugut.

“Do të shkoj në korrik për të vizituar Presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, dhe do ta diskutoj me të çështjen e integrimit të të gjithë Amerikës”, tha Obrador. “Pozicioni im është që, njëlloj si u krijua Bashkimi Europian, edhe ne duhet ta bëjmë këtë në Amerikë”.

“Pse të mos realizojmë ëndrrën e Bolivar, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë? Është diçka e mirë për të gjithë ne, bazuar në marrëdhëniet kulturore, miqësinë, por edhe marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare”, shtoi Obrador.

Në Samitin e Amerikave, SHBA nuk ka ftuar Kubën, Nikaruaguan dhe Venezuelën për shkak se në këto shtete mungon demokracia dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Por përveç Meksikës, edhe shtete të tjera kanë shprehur rezerva mbi këtë vendim të Uashingtonit.

Përveç Presidentit të Meksikës dhe tre liderëve që nuk janë ftuar, nuk kanë pranuar të marrin pjesë në samit edhe Presidenti i Bolivisë Luis Arce, Presidentja e Hondurasit Xiomara Castro, ai i Guatemalës  Alejandro Giammattei dhe Presidenti i Uruguait Luis Lacalle Pou, ky i fundit për shkak se ka dalë pozitiv me Covid-19.