Akuzat për korrupsion, nis gjyqi kundër Blatter dhe Platini

Përditësuar më: 8/6/2022, ora 15:18
blatter 1280x720

Akuzat për korrupsion, nis gjyqi kundër Blatter dhe Platini

Përditësuar më: 8/6/2022, ora 15:18

Ish-Presidenti i FIFA, Sepp Blatter, dhe ish-Presidenti i UEFA, Michel Platini, u prezantuan në gjykatën zvicerane për t’u përballur me akuzat për korrupsion. Implikimi në ryshfet solli edhe rënien e perandorisë së krijuar prej tyre në krye të futbollit botëror.

Dikur, dy figurat më të rëndësishme të sportit, ata tani përballen me akuzat e prokurorëve për pagesën e paligjshme të afro 2 milionë e 100 mijë dollarëve nga FIFA në xhepat e Platini, në vitin 2011.

Ai skandal i dha fund mbretërimit 17-vjeçar të Blatter në krye të FIFA-s. Me shkarkimin e paevitueshëm nga kreu i futbollit botëror, 86-vjeçari përfshiu në skandal edhe Platini, duke ndërprerë çdo shpresë të ish-legjendës franceze që ta pasonte në detyrë. Pas hetimit 6-vjeçar, Blatter u akuzua për “mashtrim, shpërdorim të detyrës, keqmenaxhim kriminal, si edhe për falsifikim dokumenti”.

“Gjyqi do të zgjasë rreth dy javë. Është vetëm dita e parë, por kam besim se drejtësia do të vihet në vend. Nuk e kam hedhur pas shpine futbollin. I kam shërbyer FIFA-s për 45 vjet, futbolli është jeta ime. Duhet ta marr me qetësi këtë situatë, por do të mbrohem mirë, sepse e kam ndërgjegjen të pastër”, tha Blatter.

66-vjeçari Platini akuzohet për mashtrim, përvetësim, në keqmenaxhim kriminal si bashkëpunëtor dhe për falsifikim dokumenti. Dikur bashkëpunëtorë të ngushtë, por tani armiq të përbetuar, dy drejtuesit kanë pranuar se pagesa mbi 2 milionë dollarë vlente pas marrëveshjes verbale, e cila lidhej me punën e konsolencës nga Platini nga viti 1998 deri më 2002.

Gjyqi do të vijojë deri më 22 qershor, ndërsa verdikti pritet të jepet deri më 8 korrik. Nëse shpallen fajtorë, Platini dhe Blatter rrezikojnë deri në 5 vjet burg.