Funksionimi i Kushtetueses, shtohen vakancat në gjykatë, plotësimi pas largimit të Metës

Përditësuar më: 8/6/2022, ora 20:32

Funksionimi i Kushtetueses, shtohen vakancat në gjykatë, plotësimi pas largimit të Metës

Përditësuar më: 8/6/2022, ora 20:32

Vakancat në Gjykatën Kushtetuese janë shtuar. Kur ka kaluar pak më shumë se një vit nga rijetëzimi i saj, anëtari Përparim Kalo ka paraqitur dorëheqjen nga ushtrimi i detyrës.

Përparim Kalo ishte një ndër emrat që u përfol si kandidat potencial për t’u zgjedhur President i Republikës, ku mesa duket, kjo mund ta ketë shtyrë të largohet nga funksioni i lartë shtetëror përpara se sa të zëvendësohej nga KED, pasi atij i kishte mbaruar mandati.

Kësisoj, trupa kushtetuese nga 8 anëtarë që kishte, ka mbetur me 7. Prej tyre dy janë me mandat të përfunduar, Vitore Tusha dhe Altin Binaj dhe qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre.  

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që është edhe organi i krijuar me ligj për të bërë vetingun e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese është në proces të verifikimit të katër kandidatëve, por që nuk po i përmbyll ato. 

Zyrtarisht Presidenti i Republikës, Ilir Meta, bëri të ditur se çështja ka ngecur tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës e cila nuk i ka kthyer përgjigje për verifikimin pasuror të disa kandidatëve. Meta aludoi hapur se vonesa nuk është rastësi, por e motivuar politikisht, me qëllim që të digjen afatet dhe procedura të shkojë në Presidencë pas 24 korrikut, kur në zyrën e kreut të Shtetit të jetë ulur Bajram Begaj.  

“Në kushtet kur sërish edhe pas kësaj kërkese të përsëritur të KED për informacion, nuk do të kthehet përgjigje brenda afatit të caktuar nga KED (afat që përfundon në datën 10.6.2022), çdo vonesë do të konsiderohet si veprimtari e qëllimshme, që provon tashmë çdo dyshim se kjo veprimtari bllokuese bëhet për të shtyrë në kohë procesin e verifikimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, përtej datës 24 korrik 2022, në shkelje të çdo afati ligjor”, deklaroi më herët Ilir Meta.

Ligji parashikon se KED i përcjell organit të emërtesës, në këtë raste Presidentit, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë listën e kandidatëve të renditur dhe secili organ, zgjedh mes tre emrave të parë.  

Mes kandidatëve janë persona të cilët më parë kanë pasur konflikt me Presidentin. Konkretisht Ardian Dvorani dhe Arta Vorpsi, gjë që duket se do ta shtyjë plotësimin e Gjykatës pas 24 korrikut, kur në në zyrën e Presidentit të largohet Ilir Meta dhe të futet Bajram Begaj.