Rritja e çmimeve, ministrja: Situatë e importuar, nuk presim ndryshim deri në vitin 2023

Përditësuar më: 8/6/2022, ora 18:30

Rritja e çmimeve, ministrja: Situatë e importuar, nuk presim ndryshim deri në vitin 2023

Përditësuar më: 8/6/2022, ora 18:30

Shqiptarët po përballen me rritjen drastike të çmimeve, ashtu si edhe pjesa tjetër e botës. Një situatë e stimuluar fillimisht nga periudha post-pandemike, kur ekonomia filloi të gjallërohej dhe kërkesa për mallra e shërbime të rritej dhe më pas nga lufta Rusi-Ukrainë, që tronditi tregjet botërore të karburanteve dhe lëndëve të para.

Rritja e çmimeve është shndërruar në rrezikun kryesor për ekonominë botërore dhe padyshim atë shqiptare, që mbetet e varur nga mallrat e importit. Një shtrenjtim që godet buxhetet e familjeve, ku pjesa dërrmuese shkon për ushqim dhe konsumin, që është një ndër gjeneruesit e rritjes ekonomike. Banka e Shqipërisë, por edhe institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore e BERZH që monitorojnë situatën kanë hartuar disa skenarë lidhur me atë që pritet të ndodhë. Në maj, inflacioni, treguesi që dëshmon për rritjen e çmimeve, shënoi rekordin historik të 6.7%. Por a kemi arritur pikun?

Për këto çështje u diskutua mbrëmjen e së mërkurës në A2 Business, ku ishte e ftuar edhe Milva Ekonomi, ministre e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet.

Ekonomi u shpreh se kjo është një situatë e importuar, ndërsa teksa përmendi Guvernatorin, tha se nuk pritet ulje e çmimeve të paktën deri në vitin 2023.

“Është një nivel i lartë, por duhet të kemi parasysh që ky është një inflacion i importuar, si pasojë e tregjeve ndërkombëtare. Edhe në vende të tjera të rajonit apo në Europë, presioni inflacionisht është prezent. Edhe në Amerikë diskutohet se vjen nga lufta në Ukrainë. Në mënyrë të vazhdueshme, Banka e Shqipërisë prodhon parashikime lidhur me inflacionin. Parashikimi më i fundit që ka bërë Guvernatori i BSH është që ne nuk presim që deri në vitin 2023 të ulen çmimet. Parashikimi për rritjen e çmimeve është global”, tha Ekonomi.