Berisha në Kuvend: Bordet, shushunja që po u pinë gjakun shqiptarëve

Përditësuar më: 9/6/2022, ora 13:37
bordet berisha 1280x720

Berisha në Kuvend: Bordet, shushunja që po u pinë gjakun shqiptarëve

Përditësuar më: 9/6/2022, ora 13:37

Ballkani i Hapur dhe rritja e çmimeve janë bërë pjesë e diskutimeve në Kuvend, për të cilat ish-kryeministri Sali Berisha ka ngritur akuza të forta ndaj kreut të qeverisë Edi Rama. Nga foltorja e parlamentit, Berisha tha se bordet e qeverisë janë institucione komuniste dhe shushunja që po u pinë gjakun shqiptarëve, ndërsa kritika lëshoi edhe për kryeparlamentare Lindita Nikolla, që sipas tij është kthyer në avokate të Ramës.

“Prej kohësh janë denoncuar bordet si institucione të së shkuarës komuniste dhe sot një bastard i bllokmenëve hoxhistë e konfirmoi krenarisht se me këtë metodë ka gjetur shpëtimin e qytetarëve shqiptarë. Unë e denoncoj këtë. Bordet shushunja që po i pinë gjakun boshatisin xhepat e po fusin në depresion me çmimet stratosferike në mënyrën më të pamëshirshme për të mbrojtur qeverinë e oligarkët e saj. Kjo zonja këtu bëhet parzmore tij duke shkelur rregulloren. Ai që ia mbathi tha se po bën heroizëm me energji. Ky vend nuk prodhon asnjë kilovat nga nafta e gazi por burimet ujore. Ky vend në dallim nga Maqedonia prodhon 1 mln ton naftë në vit, kurse nafta këtu është në çmimet më të larta në Europë, kurse energjia është jo në proporcion ndër më të lartat në Europë. Në mënyrën më të papërgjegjshme deklarohet se biznesin e vogël e kemi me zero taksa kur me energjinë i merret dy herë më shumë se çfarë i merrej me taksat vite më parë. Ky zotëri ka humbur çdo sens realiteti. Vjedhja e përditshme shërben si narkotik që të shkëput nga realiteti e bota përreth”.

Një ditë pas samitit të Ohrit ai akuzoi Ramën se po përçudnon gjakun e 12 mijë shqiptarëve në Kosovë dhe 1400 fëmijëve.  

“Në Ohër shkelmon me jetën e sakrificat gjakun e 12 mijë shqiptarëve në Kosovë sikur është padroni i jetës së tyre. Ç’të drejtë ka ky të flasë në emër të të vdekurve në Kosovë në një akt mirëfilli çnjerëzor të krahasojë viktimat e gjenocidit serb me ato të agresorit në luftën e dytë botërore. Çfarë njeriu është ky, ky bën gjithçka si skllav i Vuçiçit. Mirë ai që nuk ka ndjeshmëri se është arkitekt i gjenocidit po ky çfarë ka? Pse i kërkohet Kosovës të mbështesë Ballkanin e Hapur kush e ka harruar samitin e Novi Sadit ku Kosova paraqitej pjesë e Serbisë, sikurse u betua padroni i tij javë më parë? A do vazhdojmë të pranojmë një njeri si ky që vetëm me vjedhjet e klikës së tij ndikon dhe rrit çmimet në stratosferë. A do ta vazhdojmë të pranojmë këtë njeri që shkelmon mbi gjakun. Vetëm fëmijë të masakruar e vrarë në Kosovë janë 1400. Është njeri ky njeri moj zonjë se je avokatja më e zjarrtë thuaja qytetarëve shqiptarë?  Ku e ka ky autoritetin t’i krahasojë me viktimat në luftën e dytë botërore. Pse përdhos parlamentin me qëllime të tilla? Kush të lejon të falësh gjakun e tyre? Çfarë lidhje ke me ta? Janë 1400 fëmijë që shpirtrat e tyre kërkojnë drejtësi. Nuk them se i ke vrarë ti, por mungesa e ndjeshmërisë ndaj shpirtrave të tyre të akuzon si qenie e përçudnuar se ky ka gjet që sa flas unë ia mbath, por kjo s’më pengon mua. Shqipëria do ngrihet në këmbë, nuk durohet më kjo që ndodhi dje”.

Akuza të tjera ngriti Berisha edhe për tenderimet dhe konkretisht për rrugën Kradhiq Delvinë, e cila sipas tij duhet të kishte përfunduar 8 vite më parë.

“Mediat paraqitën dokumente se keni vjedhur vetëm me interes atë kredive se nuk tenderoni ato që jepnin donatorët bujarë me interesa të ulëta, se ato nuk u jepen dot se jepen me rregulla strikte ndaj merrni kredi tregtare duke u taksuar 130 mln euro më shumë shqiptarëve. Flisni për Kardhiq-Delvinë, loti i parë prej 7 km me 5 mln euro, i dyti 5 km me 22 mln euro, 6 herë më shtrenjtë. Xhepat tuaj nuk mbushen kurrë. Ajo rrugë me të cilën krenoheni duhet të përfundonte në 2014  dhe përfundoi  8 vite me vonesë se vetëm vodhët”.