Erdogan ndjek stërvitjen e madhe ushtarake dhe paralajmëron Greqinë: Të shmangë veprimet për të cilat mund të pendohet

Përditësuar më: 9/6/2022, ora 15:54

Erdogan ndjek stërvitjen e madhe ushtarake dhe paralajmëron Greqinë: Të shmangë veprimet për të cilat mund të pendohet

Përditësuar më: 9/6/2022, ora 15:54

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i bëri thirrje Greqisë që të mos armatosë ishujt që kanë status joushtarak, si dhe t’i përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat ka rënë dakord.

Në një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes dy shteteve fqinje, Erdogan vijon të sulmojë Greqinë, pasi javën e kaluar deklaroi se do të ndërpriste bisedimet mes palëve për shkak të veprimeve të kryeministrit grek, por edhe për atë që Ankaraja e quan shkelje të hapësirës së saj ajrore.

Pas 5 vitesh “ngrirjeje”, dy vendet aleate në NATO rinisën vitin e kaluar bisedimet për të adresuar kundërshtitë mbi praninë në Detin Mesdhe, por edhe çështje të tjera dypalëshe. Pak përparim mësohet të jetë bërë në diskutime, dhe shpesh drejtuesit e dy vendeve nuk janë kursyer në sulmet ndaj njëri-tjetrit.

“Edhe një herë, ftojmë Greqinë që të ndërpresë armatimin e ishujve të vet me status joushtarak dhe t’i përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare. Turqia nuk do të heqë dorë nga të drejtat e veta në Egje dhe nuk do të tërhiqet nga shfrytëzimi i këtyre të drejtave që burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare, sa i përket armatosjes së ishujve”, tha Erdogan. “Greqia të shmangë ëndrrat, aktet dhe deklaratat për të cilat do të pendohet”.

Dy shtetet prej vitesh nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët sa i përket kufijve detarë – problem që Greqia e ka edhe me Shqipërinë – ndërsa ndarja e zonave ekskluzive ekonomike, hapësira ajrore, çështja e emigrantëve dhe statusi i ishullit të Qipros vijojnë të mbeten tema delikate.

Erdogan ndoqi një stërvitje të madhe ushtarake në Izmir, ku ishin impenjuar qindra trupa dhe dhjetëra tanke, anije dhe helikopterë.