“Serbia të hapet ndaj Kosovës”, Kurti: Nuk ka “Ballkan të Hapur” pa trajtim të barabartë 

Përditësuar më: 9/6/2022, ora 20:14

“Serbia të hapet ndaj Kosovës”, Kurti: Nuk ka “Ballkan të Hapur” pa trajtim të barabartë 

Përditësuar më: 9/6/2022, ora 20:14

Kosova refuzon ftesën për nismën “Ballkani i Hapur”. “Është Serbia që duhet të hapet ndaj Kosovës”, tha kryeministri Albin Kurti gjatë një eventi në Prishtinë.

Kreu i qeverisë shprehu edhe njëherë qëndrimin kundër, duke zbuluar si e lexoi ai mesazhin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në samitin e Ohrit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë thënë shumë qartë se pa qenë gjashtë shtetet aty, nuk ka themelim të ashtuquajturit ‘Ballkan të Hapur’. Ballkani është i hapur ndaj Bashkimit Europian, duhet të jetë plotësisht i hapur edhe ndaj NATO-s, pasi nuk është i hapur ndaj NATO-s për shkak të qëndrimit të fqinjit tonë verior dhe Republikës serbe në Bosnje, të cilët po e mbështesin Kremlinin në agresionin ushtarak ndaj Ukrainës”, tha Kurti.

Nisma e vetme që mbështet Kurti është ajo e Procesit të Berlinit, teksa për ta rigjallëruar atë po angazhohet vetë kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili gjatë të premtes do vizitojë Kosovën.

“Një fillim të ri dhe energjik të Procesit të Berlinit, ku jemi të gjithë të barabartë dhe ku përshpejtohet anëtarësimi i të gjitha vendeve, duke u bazuar në respektimin e sundimit të ligjit, demokratizmit, luftimit të korrupsionit dhe ballafaqimit me të kaluarën”, shtoi kryeministri.

Përgjigje pati edhe për ofertën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për këmbimin e qymyrit me energji elektrike.

“Kjo është një përpjekje e presidentit autoritar të Serbisë që të kalojë nga projekti i dështuar i shkëmbimit të territoreve, në këtë të shkëmbimit të qymyrit. Pra në vend të territorit të Kosovës, po kërkon qymyr nga Kosova, por ai duhet që të njoh pavarësinë e Kosovës, t’i pranojë krimet e kryera gjatë luftës nga regjimi i Millosheviçit në Kosovë dhe duhet të distancohet nga presidenti despotik, Putin, përveçse nga Millosheviçi, ministër i të cilit ka qenë atëherë”, përfundoi kreu i qeverisë së Kosovë.

Kurti adresoi dhe akuzat e opozitës se nuk është veteran i vërtetë lufte, duke saktësuar se ka punuar në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi.