Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Sherr për çmimin e naftës, opozita akuzon për zhvatje, Rama mbrohet me energjinë elektrike

Nga A2 CNN
9 Qershor 2022, 16:31 | Aktualitet
Sherr për çmimin e naftës, opozita akuzon për zhvatje,

Opozita në Parlament shënjestroi qeverinë duke e akuzuar për abuzim me çmimin e karburantit. Vendimi i të ashtuquajturit Bord i Transparencës për të vendosur naftën në vlerën e 258 lekë litri ishte argumenti mbi të cilën u bazuan akuzat e PD-së.

“Kemi çmimin më të lartë në rajon të karburanteve”, tha Jorida Tabaku.

Për kreun e qeverisë shqiptare situata energjetike është dramatike në të gjithë Europën. Ai justifikoi çmimin më të lartë të naftës në rajon si kompensim të taksave që qeveria po i rimburson familjarëve dhe biznesit me çmimin e parritur të energjisë elektrike.

“Situata është kudo dramatike dhe nëse doni të bëni politikë këtu me atë avazin tuaj, vazhdoni bëjeni nuk ka asnjë problem për ne, por nëse doni të kontribuoni bujrum”, reagoi Rama.

Opozita prej kohësh kërkon heqjen e bordeve duke iu referuar edhe qëndrimeve të ngjashme të shprehura nga Fondi Ndërkombëtar Monetar. Etiketimi që demokratët i bëjnë këtyre bordeve si koncept komunist, gjeti në parim dakordësinë Ramës, që kishte edhe një justifikim.

“Ne jemi në një ekonomi tregu ku ka një gjë me të cilën unë jam dakord me ju, kemi një bord komunist aty, kjo është 100% e sigurt që ky bord është komunist, se nuk duhet të ishte, por është aty sepse është një moment shumë-shumë jashtë normales dhe në kushte normale ai bord është komunist, në kushtet e kësaj krize ai bord është një ndihmë”, u shpreh kryeministri.

Sali Berishës iu desh të debatonte për të marrë të drejtën e fjalës. Qëndrimi i kryetarit të PD-së ishte i qartë, borde te transparencës po zbrazin xhepat e qytetarëve.

“Sot, një bastard i bllokmenëve hoxhistë e konfirmoi këtu krenarisht se me këtë metodë komuniste ka gjetur shpëtimin e qytetarëve shqiptarëve. Unë i kam denoncuar dhe i denoncoj në këtë platformë bordet si shushunja, që po i pinë gjakun qytetarëve, po boshatisin xhepat, po i fusin në depresion me çmime stratosferike si askund tjetër në Evropë dhe në botë  në mënyrën më të pamëshirshme  vetëm e vetëm për të mbrojtur qeverinë dhe oligarkët e saj”, tha Berisha.

Pavarësisht debatit në parlament dhe tonet e larta, çmimi i naftës në Shqipëri vijon të jetë më i larti në rajon.  

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli