Vota e diasporës, Celibashi: Modeli i Kosovës i papërshtatshëm, po vlerësojmë atë spanjoll

Përditësuar më: 9/6/2022, ora 20:24

Vota e diasporës, Celibashi: Modeli i Kosovës i papërshtatshëm, po vlerësojmë atë spanjoll

Përditësuar më: 9/6/2022, ora 20:24

1,4 milionë shqiptarë me të drejtë vote mendohet se jetojnë jashtë, ndërsa prej pesë vitesh nuk ka konsensus për regjistrimin e emigrantëve në një regjistër në posaçëm. Opozita, pavarësisht konfliktit të brendshëm, ka kërkuar që KQZ të mundësojë infrastrukturën e plotë ndërsa ka ndarje për mënyrën se si duhet votuar.

Janë tre shqetësime që ngrihen nga opozita që nga regjistrimi, adresat, mënyrën e votimit dhe si do të përllogariten mandatet e siguruara nga votat e tyre. PS ka kërkuar nga KQZ të nisë punën për nxjerrjen e rregullave, ndërsa opozita është ftuar në komisionin e ri të reformës zgjedhore për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Për këtë temë u diskutua mbrëmjen e së enjtes në Debat me Alba Alishanin, ku i ftuar ishte edhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi.

Sa i përket modelit të Kosovës, Celibashi u shpreh se do të ishte i papërshtatshëm për Shqipërinë, për shkak të mungesës së besimit nga politika.

“Modeli që aplikohet në Kosovë do të ishte i papërshtatshëm sepse nuk do të krijonte të gjithë kofidencën te të gjitha palët. Ai sistem besohet aty, por në Shqipëri, me këtë mungesë të theksuar besimi që kanë palët ndaj njëra-tjetrës, modeli i Kosovës nuk do të gjente terren”, u shpreh Celibashi.

Celibashi zbuloi më tej se është duke u vlerësuar edhe një model i ngjashëm me atë Skocez e Spanjoll.

“Votimi nëpër ambasada do të ishte thuajse i pamundur për shkak të kapaciteteve. Votimi me postë mund të ishte një zgjidhje dhe ka sens edhe nga pikëpamja teknikë që mund të realizohet. Një çështje që mund të konsiderohet është ajo që ka të bëjë me kostot. Do të duhet që shteti të paguajë dhe në një përllogaritje që ne kemi bërë, për rreth 600-700 mijë, ka shkuar deri gati në 40 milionë euro e kostos së këtij procesi.

Jemi duke vlerësuar një alternativë tjetër, një kombinim të votimit nëpërmjet elektronikës, jo elektronik. Votuesi jashtë Shqipërisë do të marrë një fletë votimi të printuar, do t’i bëjë të gjitha shënimet aty. Kjo fletë votimi do të jetë e kriptuar dhe do të dërgohet në KQZ. Pak a shumë ky model është përdorur në Skoci e Spanjë”, tha Celibashi.