Luftime të ashpra në Donbas, Zelensky: Fati i rajonit përcaktohet në Severodonetsk

Përditësuar më: 9/6/2022, ora 11:03

Luftime të ashpra në Donbas, Zelensky: Fati i rajonit përcaktohet në Severodonetsk

Përditësuar më: 9/6/2022, ora 11:03

Lufta në qytetin strategjik të Severodonetsk mund të përcaktojë fatin e betejës për rajonin lindor të Donbasit. Këte e tha Presidenti Volodymyr Zelensky në videomesazhin e fundit, të publikuar gjatë natës.  

Sipas tij, ajo që po zhvillohet në Severodonetsk është ndoshta beteja më e egër dhe më e vështirë e kësaj lufte: “Severodonetsk mbetet epiqendra e luftimeve në Donbas. Ne po mbrojmë pozicionet tona dhe po u shkaktojmë humbje të konsiderueshme armikut. Kjo është një betejë brutale, shumë e ashpër, ndoshta një prej më të vështirave të kësaj lufte. Fati i Donbasit tonë po vendoset tani”. 

Por, ndërsa Zelensky thotë se trupat e Kievit po u shkaktonin humbje të rënda pushtuesve, Sergei Haidai, guvernator i rajonit të Luhanskut, njoftoi se forcat speciale ishin tërhequr pasi Rusia kishte filluar të rrafshonte zonën me bombardime dhe sulme ajrore. Megjithatë, ai tha më vonë se me armët me rreze të gjatë veprimi që Perëndimi po dërgon në Ukrainë, do të mund të pastronin Severodonetskun nga trupat ruse në 2-3 ditë.

Rreth 150 mijë civilë mbeten të bllokuar në Severodonetsk dhe qytetin e afërt të Lysychansk. Të paktën 4 civilë raportohen si të vrarë gjatë orëve të fundit, si pasojë e bombardimeve. Rusia pretendon se Ukraina po pëson humbje të rënda në radhët e ushtrisë, artileri dhe pajisje ushtarake në Donbas. Ambasadori i Moskës në OKB, Vassily Nebenzia, përgënjeshtroi zërat se ofensiva ka ngecur dhe tha se forcat ruse po shënojnë përparim. Sipas tij, rajonet e Luhansk dhe Donetsk do të çlirohen së shpejti.