Fluturoi në disa vende evropiane, Bullgaria në kërkim të pilotit misterioz

Përditësuar më: 10/6/2022, ora 11:21
helikopter 2 1280x720

Fluturoi në disa vende evropiane, Bullgaria në kërkim të pilotit misterioz

Përditësuar më: 10/6/2022, ora 11:21

Autoritetet bullgare janë në kërkim të një piloti misterioz, i cili fluturoi i paautorizuar nëpër disa vende evropiane.

Forcat e mbrojtjes në vend u vunë në gatishmëri të lartë, mbrëmjen e së mërkurës, kur një avion i vogël u zbulua në hapësirën ajrore të tij.

Sipas ministrit të Brendshëm, Boiko Rashkov, avioni me dy ulëse Beechcraft me sa duket ishte nisur nga Hungaria dhe fluturoi mbi Poloni dhe Sllovaki.

Piloti më pas besohet të ketë zbritur pranë Detit të Zi, pasi kaloi për një kohë të shkurtër në Serbi dhe Rumani.

Avioni 60-vjeçar u gjet me motorin e tij ende të ngrohtë në pistën e një aeroporti privat në zonën verilindore të Buhovtsi. Ai ishte i mbuluar nga një pëlhurë gome dhe nuk kishte asnjë gjurmë të ekuipazhit.

Avioni i dyshimtë nuk kishte plan fluturimi, kishte çaktivizuar transponderët e tij dhe nuk iu përgjigj mesazheve radiofonike apo sinjaleve vizuale, tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Bullgarisë.

Avioni Beechcraft u gjurmua dhe u shoqërua gjithashtu nga avionë luftarakë hungarezë dhe rumunë.

Ministri bullgar i Mbrojtjes, Dragomir Zakov, u tha gazetarëve se avioni “nuk përbënte kërcënim në asnjë moment. Ai po fluturonte në lartësi shumë të ulët dhe me shpejtësi të ulët, gjë që e vështirëson përgjimin”, shtoi ai.

Ndërkohë zyra e prokurorit në Varna, Bullgaria lindore ka hapur një hetim për incidentin.