Kurti: NATO të qëndrojë në Kosovë, derisa Kosova të futet në NATO

Përditësuar më: 10/6/2022, ora 12:07
KURTI LIVE frame 10117 1280x720

Kurti: NATO të qëndrojë në Kosovë, derisa Kosova të futet në NATO

Përditësuar më: 10/6/2022, ora 12:07

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se NATO duhet të qëndrojë në Kosovë, për të ruajtur sigurinë e shtetit, sidomos me klimën e krijuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Duke pasur parasysh lidhjet e Serbisë me Rusinë, konsiderojmë që prania e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme. Kemi nevojë për NATO-n në Kosovë, deri atëherë kur Kosova të futet në NATO. Nuk mund të krijohet vakum paqeje dhe sigurie”, tha Kurti në një konferencë të përbashkët për mediat me Kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili vizitoi këtë të premte Prishtinën.

Kurti i kërkoi Kancelarit gjerman, që të udhëheqë vendet e Ballkanit Perëndimor në vijimin e Procesit të Berlinit. Kurti, i cili është shprehur disa herë kundër Ballkanit të Hapur, theksoi edhe një herë se qeveria e tij është e përqendruar vetëm Procesi i Berlinit. “Kancelarin e njoftova për rëndësinë që Kosova i kushton Procesit të Berlinit, si mundësia më e mirë e integrimit të rajonit në BE. Nxisim çdo vend që të angazhohet për tregun e përbashkët europian. Kosova u bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të nënshkruajnë marrëveshjet nga të cilat do të përfitojnë qytetarët. Presim që Procesi i Berlinit të vijojë nën udhëheqjen tuaj. Në këtë kohë të pasigurisë, mbështetja gjermane do të na ndihmonte edhe më shumë në prezantimin e mundësive për investitorët e huaj”, tha Kurti.

Kurti sulmoi edhe një herë Serbinë, duke e akuzuar se po pengon vijimin e dialogut. “Serbia fatkeqësisht po vazhdon të bllokojë zgjidhjet që ne i ofrojmë, edhe në marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit”, tha Kurti.