Mariupoli kërcënohet nga kolera

Përditësuar më: 10/6/2022, ora 14:30

Mariupoli kërcënohet nga kolera

Përditësuar më: 10/6/2022, ora 14:30

Pas bombave që e reduktuan qytetin në rrënoja, Mariupoli rrezikohet tani nga kolera. Sipas një raporti të fundit të inteligjencës britanike, ushtria ruse nuk po u siguron dot qytetarëve shërbimet bazë në territoret e pushtuara, përfshirë Mariupolin dhe Khersonin.

Banorët nuk kanë qasje të vazhdueshme ndaj ujit të pijshëm dhe medikamenteve. Në Mariupol ekziston rreziku i shpërthimit të kolerës, me disa raste të izoluara që janë raportuar muajin e kaluar. “Shërbimet mjekësore në Mariupol janë pranë kolapsit. Një shpërthim i madh i kolerës do ta përkeqësojë edhe më shumë situatën”, lexohet në raportin e Ministrisë së Mbrojtes në Britaninë e Madhe”.

Sakaq, beteja për rajonin lindor të Donbasit nuk njeh pushim. Inteligjenca ushtarake e Ukrainës deklaroi se Kievi po humb kundër Rusisë në vijën e parë të luftës dhe se ka nevojë të dëshpëruar për armët e Perëndimit për të rezistuar kundër Rusisë.

“Kjo është një luftë artilerie dhe gjithçka varet nga ajo që Perëndimi do të na japë”, tha për “The Guardian” një zyrtar i lartë i inteligjencës ukrianase. Në videomesazhin e fundit, Presidenti Zelensky tha se trupat ukrainase po rezistojnë ende në Severodonetsk, ndërsa foli për fitore të vogla në rajonin juglindor të Zaporizhias dhe atë të Harkivit në veri: “Severodonetsk, Lisiçansk dhe qytete të tjera të Donbasit që pushtuesit i konsiderojnë si shënjestra kryesore, janë ende në këmbë. Kemi disa lajme pozitive në rajonin e Zaporizhias, ku kemi mundur të pengojmë planet e pushtuesve. Po avancojmë gradualisht edhe në Harkiv”. 

Sipas burimeve perëndimore të cituara nga mediat britanike, rreth 20 mijë ushtarë rusë kanë rënë në Ukrainë në tre muaj luftë. Sakaq, Gjykata e Lartë e Republikës së vetëshpallur të Donetskut, në dorë të rebelëve prorusë, dënoi me vdekje shtetasit britanikë Aiden Aslin dhe Shaun Pinner dhe marokenin Saaudun Brahim, që luftonin për ushtrinë ukrainase.

Procesi i shkallës së parë ishte një “show” i zhvilluar në shkelje të Kartës së Gjenevës mbi të burgosurit e luftës, reagoi organizata “Amnesty International”.